Partitë kundërshtare të Vetëvendosjes po i afrohen 9 shtatorit të përçara dhe pa një strategji të përbashkët, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike. Sipas tyre, mungesa e një qëndrimi të qartë për presidentin dhe mënyrën e kundërshtimit të pushtetit e vështirëson tejkalimin e krizës institucionale, ndërsa në pozitë më të rëndë e shohin Lidhjen Demokratike për shkak të përçarjeve brenda saj
Vazhdimi i seancës konstituive në 9 shtator i gjen partitë e ish-opozitës të përçara e pa strategji të qartë, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike.
Sipas gazetarit Fitim Gashi, deputetët duhet t’i bëjnë të qarta qëndrimet e tyre sa i përket çështjes së presidentit, si hap që krijon mundësinë e shmangies së zgjedhjeve.
“Nëse synimi është që Kosova të dalë nga kriza, opozita nuk duhet ta përdorë 9 shtatorin vetëm për ta zhbllokuar konstituimin e Kuvendit dhe më pas t'i rikthehet bojkotit duke dështuar kuorumin për presidentin, rrjedhimisht çuarjen e vendit në zgjedhje të reja. Ajo duhet ta bëjë të qartë publikisht se çfarë është e gatshme të votojë dhe çfarë jo, në mënyrë që pastaj të shikohet se kush është fajtori për dështimin e zgjedhjes së Presidentit”, ka thënë Gashi.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka njoftuar se punimet e ndërprera më 8 gusht do të vazhdojnë më 9 shtator që të zgjidhet kryetari dhe pesë nënkryetarët e kuvendit.
Me konstituimin e Kuvendit nis afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit. E nëse kjo periudhë kalon pa votimin e kreut të shtetit, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.
Të shtunën, kryetari i Partisë Demokratike Bedri Hamza tha se subjekti që udhëheq, do të hyjë në një fazë tjetër të veprimit politik, megjithatë nuk e shpjegoi se çfarë veprimesh do ta karakterizojnë këtë fazë.
Përgjigje lidhur me këtë çështje nuk i dhanë zyrtarë të PDK-së KOHËS as të dielën.
E analisti politik Artan Muhaxhiri, thotë se me shkeljen e afatit kushtetues, partitë kundërshtare të Vetëvendosjes janë në një pozitë të vështirë.
“Kjo situatë na ka sjellë deri në një pozicion ku duhet të zgjidhet e keqja më e vogël dhe natyrisht që është një situatë krejtësisht absurde dhe opozita në secilin rast do të jetë në pozitë shumë të vështirë dhe ky është realiteti dhe besoj që do të duhej të vepronin në një mënyrë që ta maksimalizonin presionin ndaj zotëri Kurtit”, ka thënë Muhaxhiri.
Vetëvendosja bashkë me një pjesë të deputetëve të minoriteteve i kanë 62 vota që mjaftojnë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë, por nuk përmbushin kriterin e 80 votave për presidentin.
Javën që shkoi, LVV-ja me LDK-ja njoftuan se janë dakorduar të propozojnë profesorin universitar, Bekim Sejdiu, si kandidat konsensual për president. Por ujdia hasi në kundërshtinë e 6 deputetëve të LDK-së, e që e bënë të pamundur jetësimin e saj.
Këtë mungesë uniteti në partinë e tretë, Muhaxhiri thotë se do ta shfrytëzojë kryetari i Vetëvendosjes.
“Qëllimi i zotëri Kurtit është që të thotë ja unë e bëra marrëveshjen por për shkak të problemeve brenda LDK-së kjo marrëveshje dhe zgjedhja e presidentit dhe formimi i institucioneve nuk mund të bëhet dhe ta fajësojë LDK-në. Besoj që kjo do të ndodhë dhe për fat të keq do të ndikojë edhe në një çarje më të madhe edhe përbrenda LDK-së por edhe opozitës në përgjithësi”, ka thënë ai.
E deputeti i LDK-së, Paris Guri tha se nuk do të çuditej në rast se tentohet sërish rrëzimi i Lumir Abdixhikut nga pozita e kryetarit të partisë.
“Çudia ka qenë kur për pesë muaj janë mbajtur dy kuvende, tash për gjashtë muaj nëse mbahen tri nuk është më çudi, tash edhe katër nëse mbahen për shtatë muaj nuk është më çudi. Çudia ka qenë kur dy kuvende janë mbajtur brenda 6 muajve, tashmë asgjë nuk më çudit, nuk më befason. Sa u përket ambicieve të zotëri Ramës për kryetar të LDK-së, Lidhja Demokratike në vitin 2027 e ka procesin e saj zgjedhor të rregullt dhe secili anëtar i LDK-së ka të drejtë të garojë për kryetar të LDK-së”, është shprehur Guri.
Pozita e Abdixhikut është sfiduar dy herë gjatë këtij viti – më 31 janar dhe 30 korrik në Kuvendin e delegatëve të LDK-së, por ai mbijetoi dy herë.