Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka thënë se sfidat në rastet penale nuk lidhen me numrin e lëndëve, por me mënyrën e menaxhimit të tyre.
“Ne, nëse flasim te pjesa penale, nuk e kemi këtë problemin e mbingarkesës, por problemi mbetet çështja e menaxhimit”, tha Shala në “Tempus“ në KTV.
Ai përmendi si shembull pozitiv qasjen që ka ndjekur Departamenti Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Ne kemi parë një praktikë të mirë që e ka ndjekë Departamenti Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë, që ka fillu me i caktu seancat– bllok seancat, në atë mënyrë që e përgatit shqyrtimin gjyqësor, i fton dëshmitarët, ekspertët etj, dhe fillon nga e hëna në të premten, mbahet krejt gjykimi dhe aty përfundon rasti. Mirëpo, nuk ka arsye që kjo domethënë mos me e caktu edhe në rastet tjera – e përgatit gjykimin dhe vendos me vendos pas një muaji, por aty ku fillon shqyrtimi, edhe aty përfundon”, tha Shala.
Hulumtuesi tha se shpërndarja e seancave në muaj të ndryshëm ndikon negativisht në vazhdimësinë e procesit dhe kualitetin e gjykimit.
“Problematikë është që po fillon se kur po është një seancë në janar, tjetra në mars, tjetra në prill – po është e vështirë me i koordinu dhe po ka situata ku seanca po fillon në pikën zero, sepse po kalohet te akti ligjor”, tha ai.
Gjithashtu, Shala shtoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe mënyra se si prokuroria i menaxhon rastet janë çështje që kërkojnë vëmendje të veçantë.
“Në kuptim të prokurorisë, është çështja e bashkëpunimit ndërinstitucional, mënyrës se si e menaxhon rastin prokurori, etj. Duhet të theksohet se disa gabime që janë për çështje efikasiteti, disa gabime procedurale në prokurori, mund me kushtu shumë shtrenjt”, tha Shala.
Ai përmendi një rast konkret ku për shkak të një mangësie procedurale janë liruar 28 persona të akuzuar.
“Tash e patëm një rast që 28 persona u liruan nga aktakuza për faktin se u tha se masat e përgjimit janë marrë pa aktvendim për fillimin e hetimit. Domethënë, lirohen 28 persona nga një aktakuzë për shkak se ato masa – që domethënë provat janë aty, por normalisht që për gjykatën janë të kundërligjshme dhe nuk mund me kalu. Në këto raste duhet që Prokurori i Shtetit të ketë një reagim publik që me informu publikun për çka bëhet fjalë – a është me të vërtetë një lëshim kaq i madh dhe a kemi me siguru llogaridhënie përkitazi me këtë rast, apo ka ndonjë pretendim tjetër që gjykata ka gabu dhe të njëjtin do ta ankimojmë”, u shpreh Shala.
Për këtë arsye, Shala kërkoi menaxhim më të mirë të rasteve për rritjen e efektivitetit të procedurave penale.
“Për këtë arsye kërkohet edhe një administrim më adekuat i rasteve, në mënyrë që të ketë një rrjedhë më adekuate dhe një zgjidhje më efektive të rasteve”, tha Shala.
Shala: Seancat e dështuara në DS janë nga mospajisja me shkresa ose vonesa në përkthim
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), derisa përmendi problemet që ndikojnë në dështimin e seancave gjyqësore, veçanërisht në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha se shumica e arsyeve janë mospajisja me shkresa të lëndës ose vonesa në përkthim.
Ai bëri të ditur se Instituti i Kosovës për Drejtësi ka realizuar një proces monitorimi të seancave në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, por edhe në Degën e Gjykatës Themelore në Prishtinë në Graçanicë, dhe se gjetjet do të publikohen gjatë javës së ardhshme. Megjithatë, disa të dhëna preliminare tashmë dëshmojnë për problematika serioze.
“Por, disa prej gjetjeve preliminare është se çështja e përkthimit, veçanërisht në Departamentin Special, konsiderohet si diçka shumë problematike”, tha Shala.
Sipas tij, mungesa e përkthyesve, është e ndërlidhur edhe me mungesën e përkrahjes buxhetore, përkundër kërkesave të vazhdueshme.
“Ka pasur edhe kërkesa buxhetore, duke kërkuar buxhet specifik për përkthyes, por që nuk i kanë aprovuar as Qeveria dhe as Kuvendi. Nuk është që ata nuk janë të interesuar për buxhet, por s’janë të interesuar me lëvizë në asgjë që kërkon shtesë gjyqësori dhe rrjedhimisht nuk ka lëvizje as në çështjen e buxhetit”, shtoi ai.
Shala thekson se numri më i madh i seancave të dështuara është shënuar pikërisht në këtë Departament, për shkak të mungesës së përkthyesve, mospajisjes me shkresa të lëndës ose vonesave në përkthimin e tyre.
“Tash e kemi pasë numrin më të madh të seancave që kanë dështuar në Departamentin Special – numrat specifikë po e lë ekspozivitetin kur e publikojmë raportin – janë për shkak ose të mungesës, mospajisjes me shkresa të lëndës, ose vonesave në përkthimin e shkresave të lëndës”, tha Shala.
Ai nënvizoi nevojën për një planifikim strategjik në të ardhmen lidhur me menaxhimin e burimeve njerëzore në këtë sektor.
“Tash ideja është se në këtë fazën në të cilën jemi, është shumë e rëndësishme që të ketë planifikim strategjik për të ardhmen në lidhje me atë se çka do të ndodhë nëse do të ulet vazhdimisht numri i përkthyesve – si duhet të krijohet kuadër e re, duke ditur saktësisht se përkthyesit do të jenë aty dhe janë të domosdoshëm”, shtoi ai.
Hulumtuesi theksoi edhe probleme lidhur me të drejtat gjuhësore, duke përmendur mungesën e aktgjykimeve të publikuara në gjuhën serbe si shkelje të barazisë së palëve në procedurë.
“Një çështje tjetër që e kisha përmendur në kuptim të të drejtave gjuhësore që e shpalos edhe raporti, është mungesa e aktgjykimeve të publikuara në gjuhën serbe. Tash ideja është se ato janë të publikuara në gjuhën shqipe, por fakti që s’janë të publikuara edhe në gjuhën serbe, avokatëve që nuk flasin në gjuhën shqipe i vendos në pozitë të pabarabartë me avokatë të tjerë”, tha tutje.
Ai përmbylli me një tjetër shqetësim: mungesën e përkthimeve të komentarëve, që përdoren shpesh në praktikë, e që gjithashtu ndikon negativisht në funksionimin e drejtësisë.
“Një çështje tjetër është edhe çështja e komentarëve. Ato janë dokumente që përdoren jashtëzakonisht shumë në praktikë dhe nuk janë të publikuara në gjuhën serbe. Dhe kjo, detyrimisht ndikon edhe te palët”, tha Shala.
Mehmeti: Disa lëndë që kanë peshë s’kanë përfunduar, gjykimi varet prej cilësisë së aktakuzës dhe hetimit
Avni Mehmeti, gjykatës në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, duke folur lidhur me cilësinë e vendimmarrjes, ka thënë se kjo varet nga shumë faktorë, por që e determinon shumë edhe cilësia e aktakuzës.
“Këtu determinon shumë cilësia e aktakuzës dhe cilësia e hetimeve, sa më e mirë të jetë cilësia e hetimeve dhe akuza, unë besoj aq më lehtë do të jetë gjykimi dhe aq më cilësor do të jetë vendimi meritor dhe përfundimtar”, u shpreh Mehmeti në “Tempus“ në KTV.
Ai shtoi se mund të këtë çalime edhe nga ana e gjykatave, por tha që Kosova ka të ndërtuar sistemin e shumë-shkallshmërisë dhe nëse vërehet që ka ndonjë lëshim në shkallën e parë, palët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre që të parashtrojnë ankesë.
Sa i përket kthimit të rasteve në rigjykim, gjykatësi tha se këtë e ka adresuar Këshilli Gjyqësor, duke thënë se ka pasur edhe raste disiplinore për gjyqtarët që nuk kanë respektuar afatin për trajtimin e lëndëve të kthyera në rigjykim.
Ndërsa, tha se te rastet që shkojnë prapë në Apel, do i trajtojë kolegji i njëjtë.
Paraprakisht, ai ka përmendur disa prej ka shkaqeve që ndikojnë në shtyrjen e seancave e që sipas tij janë: ndërrimi i adresave të palëve, largimi nga territori i Kosovës, dërgimi me vonesë e ftesave nga Posta, dështimi kur të burgosurit nuk sjellen nga Qendra e Paraburgimit, mungesa e palëve, e të tjera.
“Janë një numër i avokatëve të cilët marrin një numër me të madh të rasteve dhe Gjykatat caktojnë lëndë dhe rastis që ata avokatë të marrin dy ose tri ftesa në të njëjtën kohë dhe në këtë situatë avokati mjafton sipas ligjit me njoftu gjykatën gjegjëse se është me një seancë tjetër edhe kaq mjafton, sepse ligji e kërkon vetëm arsyetimin e mungesave”, tha ai.
Sipas tij, kjo nënkupton se 28% e seancave që kanë dështuar janë për shkak të mungesës së avokatëve.
Ai tha se kemi edhe raste kur dështimet lidhen me punën e gjykatave, sipas tij, për shkak të kapaciteteve të gjykatave, duke përfshirë edhe çështjen e përkthimit.
Avokati Shefqeti: Të cilësia e hetimeve shohim shumë probleme në praktikë
Avokati Florim Shefqeti, në emisionin “Tempus” në KTV, vuri në pah problemet serioze që lidhen me cilësinë e hetimeve dhe me qasjen që organet e drejtësisë kanë ndaj procedurave penale.
“E tha gjyqtari me të drejtë që shohim probleme të jashtëzakonshme në praktikë, e tha edhe kolegu më herët që nxirret aktgjykim lirues për shkak të mungesës së ligjshmërisë së hetimeve”, tha Shefqeti.
Sipas tij, mungesa e përmbushjes së këtyre standardeve ndikon drejtpërdrejt në procedurat gjyqësore, përfshirë edhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.
“Ajo që është për ne konsiderim është që e humb sensin kërkesa për hudhjen e aktakuzës, sepse… ka gjyqtarë që arsyetojnë në pikë të presjes, por një pjesë thjesht thonë që aktakuza është ngrit sipas ligjit, por normalisht që është ngrit sipas ligjit, por qëllimi i kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave nënkupton se a ka prova të paligjshme që duhet të shpallen në fazat e para dhe a mbesin prova të ligjshme që e vërtetojnë fajësinë e të pandehurit”, tha Shefqeti.
Më tej, Shefqeti vë në dyshim logjikën e gjykatës që refuzon kërkesën për hudhje të aktakuzës, por më vonë jep aktgjykim lirues për të njëjtin rast.
“Pra, cila është logjika dhe performanca e një gjyqtari i cili e refuzon kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe në domenin e njëjtë të provave, pas 2 vjetëve, gjykata nxjerr aktgjykim lirues”, tha ai.
I njëjti u ndal edhe te përfaqësimi juridik dhe ndërrimi i adresës së të akuzuarve, duke theksuar nevojën që gjykatat të njoftohen për ndryshime përmes avokatëve, gjë që nuk ndodh gjithmonë në praktikë, veçanërisht në rastet kur i akuzuari nuk ka përfaqësues ligjor.
“Kur e përmendi gjyqtari ndërrimin e adresës, ne jo rastësisht e thamë, përfaqësimi nga avokatët sepse të gjithë avokatët kanë obligim ta njoftojnë gjykatën për ndërrim të gjendjes. Por kur nuk e ka avokat, ka problematika të tilla. Kohëzgjatja e seancave gjyqësore ndikon në ndërrim të adresave, migrim, vdekje të cilat ndikojnë edhe në pezullim të procedurave”, shtoi avokati.
Avokati Shefqeti e sheh cilësinë e aktakuzës si një ndër problemet kryesore që ndikon në ecurinë e drejtësisë penale.
“Një fakt tjetër që për bindjen tonë ka rëndësi është cilësia e aktakuzës, sepse me tepër shohim një përshkrim të veprimeve hetimore sesa një analizë të gjetjeve nga ana e prokurorisë. Dhe nëse kjo bëhet, bëhet sa për të thënë, gjysmë faqe apo një faqe, por nuk bëhet ndërlidhja e veprimeve të secilit të pandehur të akuzuar në relacion me provat, një lloj arsyetimi i dyshimit të bazuar se si prokuroria është bindur që personi i caktuar e ka kryer veprën penale”, u shpreh Shefqeti.
Mehmeti: Lëndët nga Kontrata Kolektive e kanë ngarkuar gjyqësorin, janë rreth 100 mijë
Avni Mehmeti, gjykatës në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, tha se janë rreth 100 mijë lëndë që derivojnë nga Kontrata Kolektive dhe të cilat e kanë ngarkuar sistemin gjyqësor.
I ftuar në “Tempus” në KTV, Mehmeti tha se ka shtim të numrit të lëndëve në lëminë civile të natyrave të ndryshme, të cilat janë kryesisht lëndë që derivojnë nga Kontrata Kolektive.
Ai tha se institucionet nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga Kontrata Kolektive, andaj palët i kanë shfrytëzuar të drejtat që përmes proceseve gjyqësore t’i kërkojnë të drejtat që iu takojnë nga Kontrata Kolektive.
“Si rrjedhojë, sistemi gjyqësor i Kosovës nga informatat që kam përafërsisht është i ngarkuar me këtë natyrë të lëndëve rreth 100 mijë lëndë. Pra, ekzistojnë sistemin gjyqësor në fushën civile- prej gjitha natyrave që burojnë nga Kontrata Kolektive. Ka qenë pranim enorm i lëndëve. Përkundër këtyre sfidave, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka përpiluar akte nënligjore dhe strategji të ndryshme për trajtimin e këtyre lëndëve dhe mund të themi që ka pasur progres në uljen e numrit të lëndëve të gjitha natyrave”, tha Mehmeti.
Gjykatësi tha se dështimi i seancave më shumë ndodh në fushën penale. Tha se përkundër sfidave, edhe në Penale sistemi gjyqësor ka shënuar progres.
Ai përmendi se sfidë mbetet edhe buxheti, por megjithatë thotë se përkundër vështirësive lëndët janë trajtuar me efikasitet.
Dështimet e seancave, Mehmeti tha se nuk mund t’iu atribuohen vetëm gjykatave, por ka edhe faktorë të tjerë: teknik (procedural), mungesa e palëve në seancë dhe subjekteve tjera, si dhe faktorë që lidhen drejtpërdrejt me gjykatën (mungesa e kushteve, përkthimi, e të tjera).
IKD: Mbarëvajtja e proceseve gjyqësore, me theks të veçantë tek rastet gjyqësore me palë nga komuniteti serb
Monitorimi i seancave gjyqësore nga shoqëria civile është një mekanizëm thelbësor për sigurimin e transparencës, llogaridhënies dhe integritetit të sistemit të drejtësisë. Ky rol bëhet edhe më i rëndësishëm kur në procedura gjyqësore janë të përfshira palë nga komunitetet joshumicë.
Në këtë drejtim, IKD ka monitoruar sistematikisht seanca gjyqësore të zhvilluara në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Graçanicë.
Gjatë një periudhe disamujore, janë monitoruar gjithsej 226 seanca gjyqësore në kuadër të gjykimeve që përfshijnë persona të komunitetit serb.
Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, janë monitoruar gjithsej 97 seanca në çështje penale, nga të cilat rreth 17% e numrit të përgjithshëm të rasteve të monitoruara janë shtyrë.
Analiza e arsyeve të shtyrjes tregon se shkaku më i zakonshëm, në shumicën dërrmuese të rasteve, ka qenë mungesa ose vonesa në përkthimin e shkresave të lëndës. Ndërsa, rastet tjera të shtyra janë shkaktuar për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës dhe mungesës së palëve të dëmtuara.
Në Degën në Graçanicë, janë monitoruar gjithsej 129 seanca gjyqësore, prej të cilave afërsisht 14% të numrit të përgjithshëm të seancave të monitoruara janë shtyrë.
Seancat e shtyra janë regjistruar në çështje penale dhe çështje civile.
Në procedurat penale, arsyeja më e shpeshtë e shtyrjes ishte dorëzimi i pasaktë i ftesave për palët. Ndërsa, arsye të tjera përfshijnë vonesën prokurorisë në dorëzimin e dosjes së lëndës, apo mungesën e të akuzuarve.
Në çështjet civile, arsyet për shtyrje ishin më të ndryshme, ku përfshihen mungesa e përkthyesit, mungesa e ekspertit, apo edhe mungesa e shkresave të lëndës – përkatësisht provave. Ndërsa një problematikë më e shpeshtë ka qenë e ndërlidhur me probleme të ndryshme sa i përket ekspertizave.
Përmes monitorimit të seancave gjyqësore ndër të tjera ndihmohet në identifikimin e praktikave të ndryshme, shkeljeve eventuale dhe pengesave gjuhësore apo procedurale që mund të ndikojnë në qasjen në drejtësi për qytetarë e Kosovës, e në veçanti komunitetet joshumicë.
Për më tepër, prania e monitoruesve kontribuon në rritjen e besimit publik ndaj institucioneve gjyqësore dhe promovon një sistem më gjithëpërfshirës të drejtësisë në Kosovë.

Shefqeti: Në shtyrjen e seancave ndikon moskoordinimi i agjendave gjyqtar-avokat
Avokati Florim Shefqeti, tha se problemet dhe sfidat që ndikojnë në zvarritjen e lëndëve janë teknike dhe përmbajtjesore.
Një ndër arsyet që ndikon në shtyrje të seancave, ai përmendi moskoordinimin e agjendave të gjyqtarëve me avokatë.
“Nëse do kishte një agjendë, qoftë përmes sistemit SMIL ku gjyqtari para se të caktojë seancën ta sheh terminin e avokatëve, normalisht nuk do të kishte mundësi të dështonin seancat sepse nuk do të ekzistonte arsyeja e ngarkesës me një çështje tjetër”, u shpreh Shefqeti në emisionin “Tempus” në KTV.
Ndër të tjera, ai foli për Ligjin për Procedurën Kontestimore, për të cilin tha që është i vjetër, duke përmendur se nuk ka nevojë për seancë përgatitore kur në atë seancë palët pyeten nëse qëndrojnë pranë padisë dhe përgjigjes në padi, e që kjo mund të bëhet me një shkresë.
“Zvarritjet e procedurave, respektivisht të pasurit një vendim meritor të çështjes ndikon edhe mungesa e arsyetimit të fakteve vendimtare sepse ka praktikë të Gjykatës Evropiane e cila nuk kërkon të arsyetohen ato fakte që nuk janë vendimtare. Kjo ndikon edhe në kthimin e shpeshtë në rivendosje të çështjeve”, tha Shefqeti.
Avokati tha se duhet një strategji edhe nga ana e Qeverisë, për disa raste që e shtojnë numrin e lëndëve, siç janë zgjidhja e martesës kur kemi marrëveshje, pasi tha se këto raste nuk do duhej të ishin çështje gjyqësore, paditë e jashtaftashme të cilat duhet të hedhen në start, e të tjera.
Veç kësaj, avokati u shpreh se edhe audio-incizimi i seancave civile do ishte zgjidhje efikase pasi nuk do humbej kohë derisa të shkruhej.
