Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), tha se Qeveria ka pasur standarde të dyfishta, duke theksuar se i mbrojti qeveritarët me aktakuza.
“Ka pasur kauzë që nuk do të lejojmë në Qeverinë tonë asnjë person me aktakuzë, ka ndodhur e kundërta. Prandaj, këtu kemi përdorim të dyfishtë të standardeve”, u shpreh Bugaqku, duke shtuar se ka pasur mbrojtje të atyre zyrtarëve që kanë aktakuza.
Ai tha se kemi përdorim të standardeve të dyfishta, derisa premton se kur të vjen në pushtet e implementon një standard dhe në momentin kur vjen në pushtet nuk e bën atë, i bie që i shkel parimet mbi të cilat ke ardhë në pushtet.
Bugaqku shtoi se sistemit të drejtësisë i duhet Vettingu, mirëpo sipas tij, duhet të ketë vullnet politik në Kuvend për miratimin e amandamenteve.
“Sa i përket pjesës së drejtësisë, mendoj se duhet të zbatohet Vettingu, të ketë vullnet politik në Kuvend që të kalojnë këto amandamente. Unë besoj se ne do të kemi sukses në përmirësimin e efikasitetit dhe luftës kundër korrupsionit në momentin kur fillojmë të bëjmë vlerësimin e performancës për krerët e sistemit gjyqësor por edhe të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Bugaqku. /BetimipërDrejtësi
Vitet 2023-2024 me më shumë kontrata njëburimore nga Qeveria Kurti, vlerësojnë përfaqësuesit e OJQ-ve
Arbër Kabashi, hulumtues në Iniciativën për Progres (INPO), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se në vitet 2023 dhe 2024 ka pasur më shumë kontrata njëburimore nga Qeveria Kurti.
“Gjatë vitit 2023 dhe gjatë vitit 2024, ka pasur një numër pak më të madh të kontratave të cilat janë nënshkruar me anë të procedurave të negociuara. Kur folim për kontratat me procedurë të negociuar, duhet të kemi parasysh dy elemente: numrin e kontratave me procedurë të negociuar dhe vlerën e atyre kontratave”, tha Kabashi.
Ai theksoi se ka raste kur vetë autoritetet kontraktuese i krijojnë rrethanat që të anulohet një aktivitet i prokurimit, në mënyrë që më pas të detyrohet ta nënshkruajë një kontratë me procedurë të negociuar.
Hulumtuesi thotë se këtë fenomen e kanë vërejtur tek rastet që kanë të bëjnë me sigurimin e ushqimit, me sigurim të objekteve fizike dhe me shërbime të mirëmbajtjes. Ai thotë se për këto tri lloje të kontratave, në rast se anulohet aktiviteti, autoriteti kontraktues obligohet të nënshkruajë përmes procedurës së negocimit.
“Sa i përket kontratave që i ka nënshkruar Ministria e Mbrojtjes për furnizim me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vazhdimisht aktivitetet e prokurimit të cilat kanë qenë me procedurë të hapur ose kanë qenë në procedurë ankimore pranë OSHP-së, ose janë anuluar dhe për dy vite me radhë. Ministria e Mbrojtjes obligohet të ketë kontrata të negociuara që të sigurohet ushqim për pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës", tha Kabashi.
Sipas tij, i njëjti problem po paraqitet tash edhe tek Policia e Kosovës.
Kabashi shtoi se që nga koha kur e monitorojnë Organin Shqyrtues të Prokurimit që vepron si gjykatë e tenderëve, shohin se ka një përmirësim të lehtë në aspektin kohor sa i përket zgjidhjes së ankesave.
“Kjo për faktin ndoshta që tani bordi është duke funksionuar me katër anëtarë, në të kaluarën e dimë që për një kohë të gjatë ka funksionuar me tre anëtarë, por kurrsesi nuk ka arritë t'i ketë pesë anëtarë”, tha Kabashi.
Sa i përket vendimmarrjes së OSHP-së, Kabashi tha se shohin që ka raste kur ky organ nuk është konsistent në vendimet e tij dhe se ka rast kur për një çështje të caktuar, merren vendime të ndryshme.
“Gjithashtu, një problem tjetër shumë serioz është që vendimet e këtij paneli, pra vendimet e paneleve shqyrtuese të OSHP-së, ka shumë raste që janë në kundërshtim me mendimet që paraprakisht janë dhënë nga ekspertët”, u shpreh Kabashi.
Ndërkaq, Vullnet Bugaqku nga KDI tha se nëse ka një bazament të brumit të korrupsionit në një qeveri, është fakti se si i zhvillon procedurat e prokurimit. Sipas tij nëse 80% janë në procedurë të negociuar, nuk ka sinjal më të qartë për të dëshmuar se fushëveprimtaria e një qeverie zhvillohet nëpërmjet praktikave që mund të nxisin dyshimet për korrupsion.
“Në këto 4 ose 5 vite sa po qëndrojnë në pushtet eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje, por edhe gjatë qeverisjes, është vërejtur njëfarë fenomeni që unë mendoj që Ligji për Prokurimin Publik në procedurë të negociuar apo edhe të mbyllur, e ka opsionin përjashtimor. Pra, nuk është standarde veprimi përmes procedurës së negociuar. Pra, në këto 4 vite qeverisje, procedurat e negociuara janë bërë standarde, kurse procedura e hapur apo e rregullt është bërë përjashtim, dhe ndoshta aplikohen ndonjëherë”, tha Bugaqku.
Kurse, Gzim Shala nga IKD tha se ka qenë një situatë që nuk ka pasur llogaridhënie lidhur me këto çështje, ndërsa në kuptimin e tërësisë së veprimeve të marra, lë të kuptohet se Qeveria nuk ka pasur qasje anti-korrupsion. /BetimipërDrejtësi
Kastrati dhe Bugaqku: Ka pasur hakmarrje ndaj sinjalizuesve nga institucionet publike
Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL dhe Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), duke diskutuar në “Tempus” në KTV, lidhur me çështjen e sinjalizuesve, thanë se ka pasur hakmarrje nga institucionet publike ndaj sinjalizuesve.
“Ajo çfarë kemi parë qoftë prej grupeve punuese, qoftë prej trajnimeve që i kemi mbajtur qoftë me zyrtarë publikë por edhe me sektorin privat në Kosovë, pra bizneset, kemi parë që ekziston një dallim shumë i madh edhe problematikat të cilat vërehen shumë lehtë qoftë kur bisedon me institucionet publike apo edhe me sektorin privat në raport me ligjin për sinjalizuesit”, tha Kastrati.
Sipas saj, duke pasur parasysh rëndësinë e ligjit për sinjalizuesit dhe vetë mekanizmit të sinjalizimit për luftimin e korrupsionit, e kanë parë të arsyeshme të vënë fokusin gjatë Javës Kundër Korrupsionit tek sinjalizimet.
Kastrati tha se sfida e parë është tek përceptimi. Sipas saj, në institucionet publike, por edhe tek sektori privat, ekziston një lloj frike ndaj termit “sinjalizim”.
Ajo theksoi se në një mënyrë, zyrtarët publikë sinjalizmin e asociojnë si lloj spiunazhi brenda institucionit ku punojnë, në raport me shkeljet dhe parregullsitë që i shohin.
“Duke pasur parasysh disa raste të sinjalizimit që kanë ndodhur në Kosovë, pra ka pasur sinjalizues që ka pasur hakmarrje ndaj tyre. Kanë pasur edhe një lloj pamundësie dhe kthimi në realitet në punën ku e kanë pasur”, tha Kastrati.
Kastrati tha se mungon vetëdija në raport me këtë ligj. Sipas saj shumica e institucione kanë mungesë informacioni që duhet ta ketë një zyrtar për sinjalizim.
Ajo përmendi edhe çështjen e kushteve ku zyrtarët për sinjalizim punojnë. Kastrati theksoi se nuk ka konfidencialitet për njerëzit që shkojnë dhe sinjalizojnë për shkelje, ndërsa shtoi se sfidat më të mëdha janë te sektori privat.
Ndërkaq, Vullnet Bugaqku nga KDI tha se edhe kjo organizatë, gjatë kësaj jave do të dalë me një raport për sinjalizuesit, i cili tregon për mangësitë që ka ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve.
Sipas Bugaqkut, nuk ka kritere të qarta se kush mund ta gëzojë pozicionin e zyrtarit për sinjalizues.
“Ne kemi një qendër për ndihmë juridike dhe ne vërejmë se si brenda javës ka shumë eksponentë, shumë zyrtarë, shumë sinjalizues që raportojnë dhe kanë besim më shumë tek ne, tek ju si shoqëri civile apo organizatë sesa brenda atij institucioni", ka deklaruar Bugaqku.
Ai thotë se ligji për mbrojtjen e sinjalizuesve e meriton një plotësim/ndryshim dhe një diskutim më të gjerë, dhe përmirësim të disa aspekteve bazike.
“Ju e dini se ka pasur shumë raste të hakmarrjes ndaj zyrtarëve të cilët vullnetarisht dhe publikisht kanë raportuar fenomene korruptive nëpër institucionet e tyre dhe më pastaj ata janë ballafaquar me pasoja ligjore qoftë të suspendimit apo qoftë edhe të largimit nga vendet e punës”, theksoi Bugaqku.
Hulumtuesi thotë se shteti dhe ne si shoqëri duhet ta gjejmë një mënyrë se si ky mekanizëm të fuqizohet dhe akterët përkatës të ndërrojnë strategji të qartë që ky të jetë mekanizëm i suksesshëm dhe të mos jetë mekanizëm që i rehabiliton disa zyrtarë dhe marrin një rrogë karshi një detyre tjetër që e bëjnë. /BetimipërDrejtësi
Kabashi: Institucionet po i anulojnë kontratat, duke rritur koston financiare dhe administrative
Arbër Kabashi, hulumtues në Iniciativën për Progres (INPO), duke folur për gjetjet e raportit lidhur me prokurimin- raport që kjo organizatë do ta publikojë në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, tha se institucionet po i anulojnë kontratat, duke shkaktuar kështu kosto të lartë administrative.
“Gjatë monitorimit të vazhdueshëm që kemi pasur ndaj zbatimit të planifikimeve të prokurimit, vazhdimisht kemi evidentu që shumë autoritete kontraktuese nuk po arrijnë që të nënshkruajnë kontrata për të gjitha aktivitetet të cilat i kanë planifikuar. Nga diskutimet që i kemi pasur- si me komunat, si me institucionet e nivelit qendror, vazhdimisht janë arsyetu që për arsye të ndryshme po obligohen që kontratat me i anulu”, tha Kabashi.
Kabashi tha se raporti që do ta publikojë INPO i kushtohet anulimeve të kontratave, ku kanë evidentuar që në disa raste vetë autoritetet kontraktuese janë shkaktari kryesor që krijohen rrethanat për anulim të tyre.
“Anulimet i parasheh edhe Ligji i Prokurimit Publik, kur rastet apo aktivitetet e prokurimit mund të anulohen, megjithatë ne e kemi pa që në disa raste, vetë autoritetet kontraktuese janë shkaktari kryesor që i krijon rrethanat që me u anulu një aktivitet i prokurimit”, tha Kabashi.
Ai theksoi se kanë mbledhur të dhëna statistikore për tri vitet e fundit për të gjitha aktivitetet kontraktuese.
“Shohim se janë një numër i madh i aktiviteteve të prokurimit që janë iniciu e më pas janë anulu. Kjo padyshim që përbën kosto të lartë administrative për të gjithë stafin- zyrtarët e angazhuar të prokurimit, përbën kosto gjithashtu edhe për operatorët e ndryshëm ekonomikë të cilët kanë paraqitur ofertat e tyre dhe më pas dalin të zhgënjyer nga një proces i prokurimit i cili mund të anulohet padrejtësisht nga autoritetet kontraktuese”, u shpreh Kabashi. /BetimipërDrejtësi
Kastrati: Strategjisë Kundër Korrupsionit i ka munguar qasja serioze nga Qeveria, kjo flet për qasjen e saj në luftën kundër korrupsionit
Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, u shpreh se pavarësisht se ishte premtuar që korrupsionit do të jetë top-prioritet i Qeverisë tani në detyrë, ka munguar serioziteti i Qeverisë në finalizimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit.
“Krejt Strategjia e atij dokumenti- Strategjia Kombëtare Kundër Korrupsionit që është një dokument vital dhe që e bën rrugëtimin dhe krejt ambicien e Qeverisë së Kosovës për luftimin e korrupsionit, ka dalë të jetë një dokument i cili- pikë së pari i ka munguar tërësisht qasja serioze e Qeverisë së Kosovës në raport me përfundimin dhe finalizimin, sepse kemi pas problem- pra e kemi parë vetë në grup punues që ka pas tërësisht mungesë të seriozitetit në atë aspekt- të finalizohet ai dokument, e lëre më që të votohet”, tha Kastrati në “Tempus“.
Sipas saj, vetë fakti që nuk ka arritur të finalizohet dokumenti më i rëndësishëm, më vital në fushën e anti-korrupsionit, kjo tregon shumë për qasjen që e ka përcjellë këtë qeveri në fushën e anti-korrupsionit këto katër vite.
“Çështja tjetër është se kemi pas zyrtarë qeveritarë të cilët kanë pasur aktakuza prej Qeverisë në raport qoftë me mosdeklarimin e pasurisë- që është një mekanizëm jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit dhe njashtu me keqpërdorimin e detyrës zyrtare. Pra, del që gjatë rrugës sigurisht se kanë ndryshu çështjet edhe synimet e Qeverisë”, u shpreh Kastrati, duke shtuar se shoqëria civile ka dhënë vazhdimisht kontributin në hartimin e Strategjisë përmes pjesëmarrjes në grup punues.
“Pra është mungesë totale e seriozitetit dhe e qasjes së Qeverisë në këtë fushë”, shtoi ajo.
Në anën tjetër, Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se nëse shihet si proces, është kohë e gjatë që flitet për këtë Strategji.
Ai theksoi se Ligji ka hyrë në fuqi në gusht të 2022-ës, i cili e obligon Qeverinë të miratojë Strategjinë. Tha se në shkurt të 2023-ës është themeluar grupi punues që e kishte për obligim finalizimin e kësaj Strategjie deri në dhjetor të atij viti.
“Tash jemi në dhjetor të vitit 2025 dhe Qeveria e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk ka arritur të miratojë këtë dokument. Kjo qasje tregon edhe diçka tjetër- se Qeveria vetë nuk e ka pas të qartë se cila do të jetë strategjia e saj në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. E dyta- procesi se si ka shkuar, qartazi mundemi me thanë që të paktën në draftin e parë ka pasur një tendencë të hapur për ‘kontrabandimin’ e një drafti skandaloz”, u shpreh Shala.
Sipas tij, shkeljet dhe problemet ishin të hapura. Shala tha se sot jemi në një fazë kur Qeveria e ka përfunduar mandatin, i ka disa muaj që është në detyrë dhe asnjëherë nuk ka pasur Strategji Kombëtare Kundër Korrupsionit, që ishte premtimi bazë me të cilin erdhi në pushtet. /BetimipërDrejtësi
Bugaqku: S’ka pasur vullnet nga Qeveria për miratimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit
Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), tha se Qeveria e Kosovës nuk kishte vullnet për miratimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit.
Ai tha në “Tempus” se ka qenë pjesë e disa grupeve punuese për hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit dhe se sipas tij, është për t’u habitur mënyra dhe qasja që ka ndjekur Qeveria në draftimin e saj.
“Mendoj që nuk ka pasur vullnet të sinqertë dhe vullnet serioz nga ana e Qeverisë së Kosovës që ky dokument vital të miratohet”, tha Bugaqku.
Fillimisht, ai tha se kishte probleme bazike në diskutim të këtij dokumenti i cili ka qenë shumë transparent. Tha se nuk janë marrë parasysh propozimet që shoqëria civile i ka dhënë lidhur me këtë Strategji, ndërkaq theksoi se kishte zyrtarë nga Zyra e Kryeministrit që kishin qasje të ngurtë- ku dukej se e kishin të personalizuar punën e miratimit të kësaj Strategjie.
“Si rrjedhojë e kësaj qasje, si rrjedhojë e kësaj sjellje, nuk është miratuar në afatin e premtuar dhe në afatin që do duhej të kryhej. Ne i kaluam 4 vite qeverisje dhe është e çuditshme se si tek në fund të mandatit tentojnë të miratojnë Strategjinë Kundër Korrupsionit dhe sërish nu ka arritur të miratohet”, shtoi Bugaqku.
Hulumtuesi tha se kjo ka ndodhur për shkak se akterët që e kishin për në kompetencë hartimin e kësaj Strategjie, nuk kanë qenë serioz dhe nuk e kanë luajtur rolin e tyre karshi bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, shoqëria civile kishte shumë kritika për Planin e Veprimit. Tha se nuk kishte asnjë specifikë konkrete se si duhe të implementohet ky Raport në afat 4-vjeçar.
“Plani i Veprimit sa herë që është hudh në diskutim, ne e kemi parë që nuk ka pas asnjë ide. Domethënë, Zyra e Kryeministrit nuk ka pasur ide se si do të implementohet një çështje ose një politikë e caktuar qoftë në fushën e prokurimit, qoftë të parandalimit të korrupsionit, qoftë të sundimit të ligjit apo efikasitetit të sistemit gjyqësor. Pra, duket që nuk është konsultu fare as Strategjia e Sundimit të Ligjit e cila ka qenë e miratuar dhe thjesht kemi parë që ka pas disa përkufizime apo disa koncepte që fare s’është analizu në kuptimin e asaj se sa është në përputhshmëri me Strategjinë”, u shpreh Bugaqku.
Andaj, sipas tij, në tërësi kësaj Strategjie i ka munguar një analizë swot, pasi nuk ka pasur metodologji të qartë se si duhet të punohet. /BetimipërDrejtësi
Shala: Luftimi i korrupsionit vazhdon të mos jetë i orientuar në drejtim të korrupsionit të profilit të lartë
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se luftimi i korrupsionit vazhdon të mos jetë i orientuar në drejtim të korrupsionit të profilit të lartë.
“Fillimisht, është problematike fakti se lufta kundër korrupsionit vazhdon të mos jetë e orientuar në drejtim të korrupsionit të profilit të lartë, për shkak se është një përqindje e ulët e zyrtarëve të profilit të lartë për të cilët ngritet aktakuza për korruspison”, tha Shala në “Tempus“.
Sa i përket korrupsionit, sipas tij, nëse e ndërlidhimin me vlerësimin e Raporti të Komisionit Evropian, shihet se përmendet vazhdimisht fraza “një fazë e hershme e përgatitjes“, pra është ndër indikatorët e ulët me të cilët vlerësohet Kosova në luftën kundër korrupsionit.
Hulumtuesi tha se janë disa probleme që janë evidentuar në Raportin për vendin, e që shumica prej tyre përputhen me gjetjet e Institutit të Kosovës për Drejtësi. Tha se disa aspekte që janë problematikë tek mosmiratimi i Strategjisë Kundër Korrupsionit janë si në kuptim të parandalimit ashtu edhe në kuptim të luftimit të korrupsionit.
“Nëse flasim për parandalimin e korruspionit, nuk ka rezultate konkrete për shembull përmes fushës së sinjalizimit, ka probleme në fushën e deklarimit të pasursë- deklarimi i pasurisë si proces nuk i jep efektet e veta për shkak se nuk është thjesht deklarimi i pasurisë- nuk është që ta shuajë kureshtjen e qytetarëve lidhur me pasurinë e zyrtarëve publikë, mirëpo konsiderohet si mjet anti-korrupsion. Janë disa probleme që evidentohen edhe në këtë raport, e që shumica prej tyre përputhen me gjetjet e raportit të IKD-së”, tha Shala.
Ndërsa, sa i përket gjykimit të korrupsionit, Shala tha se IKD nesër do të publikojë raportin për trajtimin e rasteve të korrupsionit nga sistemi i drejtësisë për vitin 2024-2025.
“Ne nesër e kemi një tryezë të rrumbullakët, ku do të prezantojmë raportin për trajtimin e rasteve të korruspisonit nga ana e sistemit të drejtësisë për vitin 2024-2025. Problemet vazhdojnë të jenë në shumë fusha në kuptim të ndjekjes, po ashtu edhe në kuptim të gjykimit të rasteve të korrupsionit”, tha Shala.
Shala e theksoi si problematikë edhe çështjen e kohës së ngritjes së aktakuzave, faktin që nuk ngriten aktakuzat gjatë kohës sa zyrtarët janë në detyrë, por pasi të kryejnë detyrën- që sipas tij, paraqet reagim joadekuat institucional. Problematikë tjetër, ai përmendi edhe cilësinë e dobët të hetimit në rastet e korrupsionit, kurse shtoi se ka ende lëndë të vjetra që nuk kanë marrë epilog përfudimtar. /BetimipërDrejtësi
Koalicioni i OJQ-ve liston arsyet e grevës së mbajtur në nisje të Javës Kundër Korrupsionit
Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”, të hënën nisën organizimin që tashmë është bërë tradicional- Java Kundër Korrupsionit. Kësaj radhe, kjo javë nisi me grevë njëditore të shoqërisë civile.
Të ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, përfaqësuesit e këtij koalicioni të OJQ-ve, sqaruan se cilat ishin arsyet e mbajtjes së kësaj greve.
Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, tha se Java Kundër Korrupsionit është një javë tradicionale që organizohet nga Organizatat e Shoqërisë Civile të specializuara në fushën e sundimit të ligjit.
Ai tha se këtë vit kanë zgjedhur të protestojnë duke zgjedhur grevën si mjet për të treguar pakënaqësitë.
“Këtë vit kemi zgjedhur të protestojmë në formë të kësaj greve për të treguar pakënaqësitë tona me bllokimin e institucioneve, me bllokimin e shtetit, me mosluftimin e korrupsionit dhe me aspektet e tjera të cilat e dëmtojnë shoqërinë kosovare”, tha Shala.
Përmes videos së publikuar, Shala tregoi se kanë listuar arsyet se pse kanë vendosur të protestojnë në këtë formë.
“Ka një sërë arsyesh që kemi vendosur të mbajmë grevë e të protestojmë. I kemi shfaqë edhe në videon e publikuar, Kosova mbetet pa Strategji Kundër Korrupsionit, reforma e plotë në sistemin e drejtësisë nuk ka ndodhur ende. Ka një sërë skandalesh për të cilat nuk ka llogaridhënie, mungojnë reformat e tjera në fushën e sundimit të ligjit, Vettingu nuk fillloi asnjëherë dhe shumë çështje të tjera për të cilat ne sot protestojmë”, u shpreh Shala.
Ai theksoi se përmes kësaj greve kanë vendosur të protestojnë për të treguar se nuk qëndrojnë indiferent përkrah situatës së krijuar që ka bllokuar shtetin dhe mungojnë rezultatet në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit.
Kurse, Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se gjatë Javës Kundër Korrupsionit mundohen t’i kenë të pranishëm të gjithë akterët që punojnë në fushën e sundimit të ligjit, veçanërisht ata kundër korrupsionit.
“Ideja është që të jemi afër qytetarëve, por edhe afër akterëve vendimmarrës. Raportet ndërkombëtare vitet e fundit tregojnë që nuk kemi pasur progres në luftën kundër korrupsionit. Për këtë jemi dëshmitarë edhe vetë. Dhe është shumë e rëndësishme që të ngritet vetëdija e përgjithshme dhe tek qytetarët por edhe tek institucionet vendimmarrëse, sepse ata janë në këtë rast akterët kryesorë që ta rrisin kapacitetin e tyre në luftimin e korrupsionit”, tha Kastrati.
Kastrati theksoi se për ata është e rëndësishme që gjatë kësaj jave, përmes aktiviteteve që organizojnë, të jenë më afër qytetarëve dhe institucioneve.
Ndërkaq, Arbër Kabashi, hulumtues në Iniciativën për Progres (INPO), tha se gjatë monitorimit të tyre në fushën e prokurimit, evidentojnë problemet që paraqiten të njëjta dhe përsëriten nga viti në vit.
“Njëjtë sikurse gjetjet tona që i bëjmë vazhdimisht, po ashtu të njëjtat gjetje i bën edhe Zyra Kombëtare e Auditimit. Sa i përket nivelit lokal, ne vazhdimisht kemi pasur gjetje që komunat nuk po e respektojnë planifikimin e prokurimit. Ka edhe edhe shumë raste që komunat po iniciojnë aktivitete të prokurimit pa fonde të mjaftueshme. Në bazë të komunikimeve që kemi pasur me komunat, kjo është si rezultat i fondeve të cilat po ua merr kontrata kolektive dhe komunat që ta realizojnë një projekt të caktuar, janë të obliguara të fillojnë së paku aktivitetin, procedurën si procedurë pa fonde të mjaftueshme, ndërsa kur t’iu paraqitet mundësia në ndonjë të ardhme, t’i zëvendësojnë ato fonde”, tha Kabashi.
Megjithatë, ai tha se kjo formë është e gabueshme, ngase komunat mund të përballen me padi nga operatorët ekonomikë. Tha se kanë evidentuar raste kur komunat kanë iniciuar aktivitete pa projekte ekzekutive. Në nivelin qendror, një dukuri që e kemi vërejtur është se shumë aktivitete të prokurimit, po ngecin në fazën e vlerësimit të projekteve.
Problem tjetër, ai tha se është evidentuar edhe pamundësia e hapjes së ofertave, për shkak të ankesave nga OE dhe njoftimi për kontratë.
Në anën tjetër, Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), tha se përkundër përpjekjeve të viteve të fundit që të bëhen disa reforma në sistemin e drejtësisë, në praktikë edhe këtë vit nuk ka vendime gjyqësore të formës së prerë që dënojnë zyrtarë të lartë që akuzohen për vepra penale të korrupsionit.
“Patëm raste të cilat nuk u dëshmuan me prova bindëse aktakuzat e suksesshme të prokurorive në Kosovë. Patëm po ashtu shumë raste të raportuara të hetimeve të shumta, të cilat zbuluan një mori skandalesh të eksponentëve qeveritarë të cilët nëpërmjet aferave të ndryshme pothuajse po dyshohen, disa edhe po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, tha Bugaqku.
Sipas tij, sistemi gjyqësor ka ende nevojë të përmirësojë efikasitetin. Tha se duhet të fillojë vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. /BetimipërDrejtësi