Avokati Hasan Shala, ka thënë se kryeministri në detyrë Albin Kurti ka standarde të dyfishta sa i përket përgjigjes ndaj organeve të drejtësisë.
Sipas Shalës Kurti, njësoj si është paraqitur në Gjykatë në cilësinë e viktimës, në rastin ku ish-udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, akuzohet për kanosje ndaj Kurtit, kryeministri në detyrë do të duhej të paraqitej në Prokurorinë Speciale në cilësinë e dëshmitarit në rastin e rezervave shtetërore.
“Kryeministri në detyrë apo kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i ka dy standarde, kur i konvenon paraqitet në gjykatë, tani kur paraqitet si viktimë, ndërsa kur i vjen koha të paraqitet në prokurori, nuk paraqitet në cilësinë e dëshmitarit kur kemi të bëjmë më një vepër shumë serioze për interesa shtetërore, ku kemi të bëjmë me dyshime të bazuara për veprime korruptive të ministrisë për rezerva shtetërore”, ka theksuar Shala të mërkurën, në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Ai ka thënë se qysh nesër Kurti do të dihej të shkonte dhe të dëshmonte për rastin e rezervave shtetërore.
“Është për keqardhje që kryeministri ynë në detyrë i ka dy standarde kur do paraqitet e kur nuk do nuk paraqitet para drejtësisë. Ky standard është i keq, kryeministri ka gabuar dhe është duke gabuar, konsideroj që nesër do të duhej të paraqitej dhe të jepte dëshmi në Prokurori Speciale”, është shprehur Shala.
Sipas tij kryeministri duhet të jetë shembull për të mirë për qytetarët.
Ai ka thënë se prokurori do të bënte shkelje nëse do të shkonte dhe të merrte dëshminë e Kurtit në Zyrë.
Kurti ka kërkuar vazhdimisht që prokurorët t’i shkojnë në zyrë për ta intervistuar dhe ka thënë se ka precedent për këtë, por gjykata e ka urdhëruar atë që të dëshmojë në prokurori. Ai është gjobitur për refuzimin që të shkojë në prokurori.
Kurti është ftuar të dëshmojë lidhur me dyshimet e prokurorisë në rastin e rezervave shtetërore. Prokuroria dyshon se shteti është dëmtuar me rreth 600.000 euro gjatë blerjes së produkteve për rezervën shtetërore.