Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Qeveria s'ndërhyn në procedura gjyqësore, kërkon standarde në proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, duke theksuar se Qeveria nuk ndërhyn në çështje të drejtësisë, derisa foli mbi qasjen institucionale ndaj proceseve gjyqësore në Hagë.

Kurti theksoi se komunikimi me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm dhe se Qeveria angazhohet për respektimin e të drejtave në këto procese.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Po ashtu, nuk kemi hezituar të ngremë zërin kundër vendimeve të padrejta ndaj krerëve të UÇK-së, siç ishin për shembull moslejimi i ish-presidentit Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, si dhe pranimi i dokumenteve zyrtare të shtetit gjenocidal të Serbisë si prova në procesin gjyqësor atje. Sa i përket pretendimeve për mungesë informacioni apo koordinimi, është e rëndësishme të potencohet se vetë arkitektura juridike e dhomave të specializuara, e themeluar në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe legjislacionit të brendshëm, garanton pavarësinë e plotë të saj nga ekzekutivi. Kjo nënkupton që qeveria nuk ndërhyn në procedura gjyqësore dhe as nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në informacionet operative të proceseve në zhvillim. Megjithatë, kjo nuk përjashton përgjegjësinë tonë për të ngritur çështje të karakterit parimor dhe për të kërkuar standarde të larta të transparencës dhe të respektimit të të drejtave themelore", theksoi ai.

Kurti ka shtuar se qeveria mbetet e përkushtuar që në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore "të ngrejë në mënyrë të vazhdueshme çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë" dhe që të mbështesë çdo iniciativë që rrit transparencën dhe standardet procedurale në këto procese. 

"Ne kemi ngritur zërin dhe do të vazhdojmë të insistojmë që çdo proces të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm”, u shpreh Kurti.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, i ka reaguar Kurtit duke thënë se ai ka pasur mundësi të veprojë ndryshe në raport me gjykatën. Musliu-Shoshi theksoi se, sipas saj, Kurti ka fuqinë për të ndërmarrë hapa konkretë ndaj kësaj gjykate.

“Fillimisht i përmende fondet. Janë jashtëzakonisht të rëndësishme, mirëpo e ke pasur mundësinë me i rrit fondin mbrojtës, sepse e din dhe je njoftu në detaje që nuk është i mjaftueshëm. Nën dy, krejt fuqinë e ke me zhbë atë gjykatë pasi që je aq shumë kundër saj dhe e thatë që nuk e ke votuar. Pse nuk e merr iniciativën me zhbë atë gjykatë”, tha ajo.

Lexo përditësimet tjera
Dhjetë ligje në një seancë

Kuvendi miraton anëtarësimin në Bordin e Paqes