Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

103 deputetë kanë votuar pro anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kuvendi zgjedh anëtarët e KPM-së

1 muaj më parë / 24 pri 2026 19:27
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur anëtarët e Komisionit të Pavarur të Mediave gjatë seancës të së premtes.

95 deputetë morën pjesë në votim.

Nga komuniteti shqiptar pjesë e KPM-së do të jenë Drita Morina, Besnik Berisha, Hysni Mustafa e Luljeta Aliu-Krasniqi.

Nga komunitetet joshumicë u votuan Serbin Emrushi e Suada Gjokoviq.

Mandati i tyre do të përcaktohet me short. 

Votohen anëtarët e Bordit të RTK-së

1 muaj më parë / 24 pri 2026 18:20
kuvendi

Kuvendi i Kosovës ka votuar anëtarët e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) në seancën e së premtes.

Me shumicë votash, janë zgjedhur gjashtë anëtarë nga komuniteti shqiptar: Valmire Thaqi, Flokart Aliu, Gëzim Brahaj, Xheraldina Cernobregu, Fatmir Podrimaj dhe Ilirian Himaj.

Ndërkaq, për përfaqësuesit nga komunitetet jo-shumicë, konkursi do të rishpallet, pasi nuk janë përzgjedhur kandidatë në këtë proces.

Kuvendi zgjedh dy anëtarë të KGJK-së

1 muaj më parë / 24 pri 2026 15:53
Kuvendi zgjedh dy anëtarë të KGJK-së

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi i ka zgjedhur dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës me mandat pesëvjeçar.

Emrat e përzgjedhur janë Bashkim Hyseni dhe Ivana Milenkoviq.

Për pozitën e një përfaqësuesi nga komuniteti serb do të shpallet konkursi, sepse nuk është zgjedhur. 

Kuvendi miraton anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

1 muaj më parë / 24 pri 2026 14:11
kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi ka miratuar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bordin e Paqes.

Me 103 vota për, deputetët e ratifikuan me sukses këtë marrëveshje.

Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet shtete nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që i janë bashkuar Bordit të Paqes, ndërsa nga vendet e BE-së, vetëm Hungaria dhe Bullgaria.

Ky mekanizëm është formuar me synimin që të mbikëqyrë zbatimin e planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës dhe në rindërtimin e saj. Bordi u themelua dhe do të udhëhiqet nga presidenti amerikan Donald Trump. 

Kurti: Qeveria s'ndërhyn në procedura gjyqësore, kërkon standarde në proceset ndaj ish-krerëve të UÇK-së

1 muaj më parë / 24 pri 2026 13:52 Nga: Ekonomia Online
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, duke theksuar se Qeveria nuk ndërhyn në çështje të drejtësisë, derisa foli mbi qasjen institucionale ndaj proceseve gjyqësore në Hagë.

Kurti theksoi se komunikimi me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm dhe se Qeveria angazhohet për respektimin e të drejtave në këto procese.

“Po ashtu, nuk kemi hezituar të ngremë zërin kundër vendimeve të padrejta ndaj krerëve të UÇK-së, siç ishin për shembull moslejimi i ish-presidentit Thaçi për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, si dhe pranimi i dokumenteve zyrtare të shtetit gjenocidal të Serbisë si prova në procesin gjyqësor atje. Sa i përket pretendimeve për mungesë informacioni apo koordinimi, është e rëndësishme të potencohet se vetë arkitektura juridike e dhomave të specializuara, e themeluar në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe legjislacionit të brendshëm, garanton pavarësinë e plotë të saj nga ekzekutivi. Kjo nënkupton që qeveria nuk ndërhyn në procedura gjyqësore dhe as nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në informacionet operative të proceseve në zhvillim. Megjithatë, kjo nuk përjashton përgjegjësinë tonë për të ngritur çështje të karakterit parimor dhe për të kërkuar standarde të larta të transparencës dhe të respektimit të të drejtave themelore", theksoi ai.

Kurti ka shtuar se qeveria mbetet e përkushtuar që në përputhje me kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore "të ngrejë në mënyrë të vazhdueshme çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut në komunikimet me partnerët ndërkombëtarë" dhe që të mbështesë çdo iniciativë që rrit transparencën dhe standardet procedurale në këto procese. 

"Ne kemi ngritur zërin dhe do të vazhdojmë të insistojmë që çdo proces të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm”, u shpreh Kurti.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, i ka reaguar Kurtit duke thënë se ai ka pasur mundësi të veprojë ndryshe në raport me gjykatën. Musliu-Shoshi theksoi se, sipas saj, Kurti ka fuqinë për të ndërmarrë hapa konkretë ndaj kësaj gjykate.

“Fillimisht i përmende fondet. Janë jashtëzakonisht të rëndësishme, mirëpo e ke pasur mundësinë me i rrit fondin mbrojtës, sepse e din dhe je njoftu në detaje që nuk është i mjaftueshëm. Nën dy, krejt fuqinë e ke me zhbë atë gjykatë pasi që je aq shumë kundër saj dhe e thatë që nuk e ke votuar. Pse nuk e merr iniciativën me zhbë atë gjykatë”, tha ajo.

Komuniteti egjiptian ofron kandidat konsensual për president të Kosovës

1 muaj më parë / 24 pri 2026 12:21 Nga: Marigona Brahimi
Veton Berisha

Deputeti nga Partia Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka deklaruar se në emër të komunitetit shpreh gatishmërinë që ta ofrojë nja kandidat konsensual për president të Kosovës. 

Ai ka thënë se situata politike aktuale është e paqëndrueshme dhe se nuk po ndërmerren veprime konkrete për ta zgjidhur atë. 

“Paraqesim shqetësimin se si ka mundësi që në një vend të vogël si Kosova me parti që kanë fituar besimin e qytetarëve nuk arrin të bëj dot një zgjidhje që është elementare për një konsensus për një person të vetëm i cili do ta drejtonte shtetin. Bëj thirrje, nuk po e them me ironi, edhe ne nëse vërtetë ka mbetë Kosova pa asnjë person që mund të jetë konsensual ne si komunitet egjiptian jemi të gatshëm me ofru një kandidat konsensual”, ka thënë Berisha gjatë seancës plenare në Kuvend. 
 

Ismaili thotë se Kurti s'e çan kokën për varfërinë

1 muaj më parë / 24 pri 2026 12:14 Nga: Marigona Brahimi
Uran Ismaili

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i PDK-së Uran Ismaili në deklarimet jashtë rendit të ditës e ka akuzuar kryeministrin Kurti duke thënë se nuk ka kokëçarje për varfërinë.

“Kryeministri nuk ka kokëçarje të varfërisë, mos u mërzisni, jam i bindur as para në kuletë nuk mban. A din kush tjetër nuk ka pare në kuletë pacienti që duhet të blejë barna për kancer se Qeveria Kurti nuk i siguron”, ka deklaruar Ismaili.

Ai ka thënë se Kurti është mishërim i njeriut që jeton edhe ushqehet me para të të tjerëve.

“Ti nuk je si ata, as si shumica e këtij Kuvendi. Shumica e dimë se çfarë përpjekjesh të duhen për ta mbajtur familjen. Ti je njeri që nuk ke punuar për mbijetesën e familjes tënde. Ti je mishërim i njeriut që ke jetuar je ushqyer me paratë e tjerëve”, ka theksuar Ismaili.  

Ai ka thënë se realiteti i jetës së kryeministrit është tjetër në krahasim me atë që e ka deklaruar në formularët e pasurisë.

“Varfëria është maskë e pëlqyer e një politikani populist. Por jeta në një shtëpi te madhe, me qira të ulët, me truproja rrethit, ky është realiteti. E realiteti i 16 euro e 41 centëve është realiteti i familjeve që shpresoj ta thyejnë ciklin e varfërisë”, ka theksuar Ismaili.

Hoti kërkon rezolutë lidhur me dialogun: Transparencë dhe marrëveshje me njohje reciproke

1 muaj më parë / 24 pri 2026 12:14 Nga: Marigona Brahimi
hoti

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar rezolutë për transparencë dhe rikonfirmim të orientimit të dialogut me Serbinë në marrëveshje me njohje reciproke. 

Hoti ka kritikuar qasjen që i është dhënë dialogut Kosovë-Serbi gjatë Qeverisë Kurti, derisa ka theksuar se ka pasur kthim prapa në proces. Ai ka shtuar se nuk ka pasur raportim në Kuvend për dialogun gjatë viteve të fundit sa ka qeverisur kryeministri Albin Kurti. 

“Ky lloj dialogu ka filluar më 2020 prandaj është lënë në gjysmë. Problemi tjetër është mungesa e plotë e transparencës së këtij procesi karshi qytetarëve. Kam përshtypjen që kurthimi që i ka ndodhur kësaj qeverisje e ka bërë të hezitojë që të raportojë në Kuvend. Kemi parë që së fundi është emëruar ambasadori në Bruksel si kryenegociator i cili nuk do të ketë mundësi të raportojë para këtij kuvendi. Ky kuvend duhet të nxjerrë një rezolutë që adreson çështjen e transparencës dhe rikonfirmon orientimin për marrëveshje me njohje reciproke”, ka thënë Hoti në Kuvend. 
 

Sot shqyrtohet marrëveshja për Bordin e Paqes, opozita refuzon futjen në rend dite të Projektligjit për Byronë

1 muaj më parë / 24 pri 2026 11:52 Nga: Marigona Brahimi
Kuvendi i Kosoves

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës sot do të shqyrtoje edhe Projektligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Kjo pasi propozimi i partisë në pushtet për futjen në rend dite u përkrah edhe nga opozita.

Ndërkohë që opozita nuk e ka përkrahur futjen në rend ditë të disa projektligjeve të tjera, përfshirë atë për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke thënë se nuk kanë kaluar në Komisione në lexim të dytë.

“Ne jemi që marrëveshja e Bordit të paqes të futet si pikë e rendit të ditës. Ndërsa për të tjerat jemi kundër. Nuk mund ta trajtojmë byronë këtu pa kaluar në lexim të dytë në Komisionin për Legjislacion”, ka theksuar deputeti i PDK-së Përparim Gruda.

Njësoj është deklaruar edhe deputetja e LDK-së Jehona Lushaku.

“Në përkrahim pikën për Bordin e Paqes ndërkohë që nuk përkrahim futjen e projektligjeve të tjera sidomos, atyre që nuk kanë kaluar në lexim të dytë në komisione”, ka theksuar ajo.

Partia në pushtet e ka arsyetuar urgjencën më situatën në të cilën gjendet Kuvendi, i cili do të shpërndahet automatikisht, nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 28 prill.

“Sa i përket Projektligjit për Byronë ne jemi njoftuar që dëgjimi publik është finalizuar, ndërkohë urgjenca për këtë është pasur parasysh rrethanat që ndodhemi si Kuvend. Ndërkaq dy projektligjet për energjinë, tashmë si Kuvend kemi pranuar edhe një shkresë nga Sekretariati i Komitetit të Energjisë, janë pjesë e planit të rritjes”, ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci.