TEMPUS

Rritja e taksave, Zekaj: Në Gjykatën Komerciale s’do të ketë lëndë ku nuk shpenzohen 500 euro

Yll Zekaj

Avokati Yll Zekaj, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se në Gjykatën Komerciale nuk do të ketë lëndë ku nuk shpenzohen 500 euro shpenzime procedurale.

“Nëse Këshilli Gjyqësor ka bërë një Udhëzim që i ka ngritur deri në 900% kategoritë, është dashtë me marrë edhe tarifën e ex-officio të avokatëve, ta trajtojë të njëjtën në raport me proporcionalitetin, shërbimin e ofruar. Në Gjykatën Komerciale nuk do të ketë lëndë më që shkon e që nuk i ka 500-600 euro shpenzim pocedural për fillimin e padisë”, tha Zekaj.

Ai tha se është edhe kundër rritjes së tarifës së avokatëve.

“Ashtu sikurse jam kundër rritjes së tarifës së sistemit gjyqësor, njëjtë jam edhe kundër rritjes së tarifës së avokatëve. Që të dyja është çështje diskrecioni institucional dhe nuk mund të përdoret diskrecioni institucional për ta ngarkuar me barrë qytetarin e Republikës së Kosovës për të pasur drejtësi më të shtrenjtë”, u shpreh Zekaj.

Ai shtoi se shuma e avokatëve ex-officio nuk mund të arrijë atë të shpenzimeve procedurale të caktuara me Udhëzimin e ri Adminisrativ të KGJK-së.

“Në asnjë rast, edhe në Departamentin Special nëse e marrim, shuma e avokatëve ex-officio nuk mund ta arrijë shumën e shpenzimeve procedurale që janë caktuar tani me Udhëzimin e ri Administrativ. Në asnjë rast, nuk mund të mbërrijë shumën prej 10 mijë euro qysh ekziston një padi e shumës mbi 100 mijë euro”, tha Zekaj.  /BetimipërDrejtësi


Zekaj për rritjen e taksës gjyqësore: Do të kemi numër më të vogël të rasteve sesa që kemi tash

Avokati Yll Zekaj, tha se me rritjen e taksës gjyqësore do të kemi numër më të vogël të rasteve sesa që kemi tash.

“Ne do të jemi dëshmitarë dhe besoj shumë se në statistika e para të Këshillit Gjyqësor në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, do ta shohim reflektimin e këtij Udhëzimi dhe jam i bindur se do të kemi numër shumë më të vogël të rasteve sidomos në Gjykatën Komerciale, sesa që i kemi tash”, tha Zekaj.

Avokati në emisionin “Tempus” në KTV, po ashtu deklaroi se te parashtresat e liruara nga taksat, janë raste më të rralla në gjykatë.

“Për parashtesat kemi të bëjmë me raste më të rralla që janë nëpër gjykata sesa ne që jemi në praktikën gjyqësore që kryesisht gjykata janë me lëndë të karakterit pasuror, vërtetim pronësie, çështje të tjera, domethënë është numër më i madh i tyre dhe këtu kemi rritje të taksave, ndërkaq në parashtesat që janë liruar janë më pak si raste”, shtoi Zekaj. /BetimipërDrejtësi


Zekaj: E çuditshme rritja e taksës sepse KGJK nuk financohet nga kjo, por shkon në buxhet të shtetit

Avokati Yll Zekaj, i ftuar në emisionin “Tempus” në KTV e ka konsideruar të çuditshme rritjen e taksës nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, duke theksuar se kjo shkon në buxhet të shtetit dhe jo në KGJK.

Ai tha se nuk ka shumë kategori të liruara nga ky Udhëzim Administrativ dhe se tani ka parashtresa të liruara më shumë se më herët. Zekaj theksoi se buxheti i Këshillit gjithmonë ka qenë më i vogël sesa nevojat që ka pasur.

Sipas avokatit Zekaj, Këshilli ka aluduar se ngritja e taksave gjyqësore nuk ka të bëjë më uljen e padive dhe numrit të lëndëve.

“Këshilli i cili ka aluduar se taksat nuk kanë të bëjnë me uljen e padive në sistemin gjyqësor dhe numrit të lëndëve. Unë besoj se pikërisht ky ka qenë qëllimi i Këshillit Gjyqësor, ndoshta jo por nuk kanë gjetur zgjidhje tjetër por kanë zgjedhë zgjidhjen më të lehtë. Megjithatë zgjidhja më e lehtë nuk është zgjidhja më e mirë”, tha Zekaj.

Avokati Zekaj theksoi se KGJK-ja duhet të bëjë presion tek institucionet e Kosovës për rritjen e numrit të personelit.

“Besoj se nuk i takon Këshillit Gjyqësor të merret me uljen e numrit të padive, Këshilli duhet të bëjë presion në Qeverinë e Kosovës, në Kuvendin e Kosovës në rritjen e numrit të personelit administrativ dhe profesional”, tha avokati Zekaj /BetimipërDrejtësi


Shala: Është normale taksa gjyqësore, por KGJK-ja proporcionalitetin e lidhi me elemente të gabuara

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës proporcionalitetin e taksave gjyqësore e lidhi me elemente të gabuara.

“E para, është shumë normale të ketë taksë gjyqësore sepse taksa gjyqësore duhet me qenë në proporcionalitet, por sa po e shoh unë, KGJK-ja në këtë rast proporcionalitetin e ka lidhë me disa elemente të gabuara”, deklaroi Shala në emisionin “Tempus“ në KTV.

Më tujte, Shala tha se proporcionaliteti duhet ndërlidhet me atë që pala duhet të vlerësojë më seriozisht gjasat reale për ta fituar lëndën.

Pozitive, ai tha se është lirimi i çështjeve të punës nga taksat gjyqësore, ngase me këtë Udhëzim Administrativ rezulton se po mbrohet punëtori.

“Proporcionaliteti duhet me u ndërlidhë me atë që palët t’i vlerësojnë pak më seriozisht gjasat reale për t’u fituar një lëndë”, u shpreh ai. /BetimipërDrejtësi


Zekaj për ngritjen e taksës gjyqësore: Ne nuk shohim as në regjion taksa më të mëdha se tash

Avokati Yll Zekaj, në emisionin “Tempus” në KTV, ku u diskutua lidhur me çështjen e ngritjes së taksave gjyqësore, tha se as në regjion nuk ka taksa më të larta.

“Kemi taksa deri në 900% rritje prej atyre ekzistuese, rritja 100% është gati për çdo kategori të taksave që kanë qenë në të kaluarën. Ne nuk e kemi parë në aspektin si e ka parë Këshilli Gjyqësor që kjo domethënë ka rezultuar me rritjen ekonomike në vend. Kemi inflacion çdo vit në sistemin financiar në Kosovë dhe zhvlerësim të parasë, si dhe rritje të çmimeve të produkteve dhe kemi rritje të taksave nga ana e Këshillit Gjyqësor”, tha ndër të tjera Zeka.

Sipas Zekajt, as në regjoin nuk shohim taksa më të larta se këto në Udhëzimin e ri Administrativ të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Të rriten taksat për 300%, 400%, deri 900%, nuk mund të bazohen në një standard të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Këshilli ka ndarë personat fizik dhe juridik, lëminë kontestimore nga ajo komerciale, që nuk ka qenë më herët, por nuk e ka pasur parasysh se një person fizik mund të jetë në të njëjtën kohë person juridik”, tha avokati Zekaj.

Taksat më të larta, ai tha se në procedurën kontestimore për persona fizikë janë bërë 2 mijë e 500 euro, kurse deri në 10 mijë euro në Gjykatën Komerciale. Për bizneset e vogla dhe të mesme, Zekaj tha se këto taksa janë të papërballueshme. /BetimipërDrejtësi


Gjyqtari Maxhuni: Taksa gjyqësore është ngritur si rezultat i standardit ekonomik dhe kostos

Gjykatësi Agron Maxhuni tha se taksat gjyqësore janë rritur si rezultat i standardit ekonomik dhe kostos.

Ai tha se Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka nxjerrë aktin në bazë të mandatit kushtetues dhe ligjor dhe se sipas tij ka dy kategorizimeve të taksave, e personave dhe ajo e parashtresave.

“Taksa është ngritur si rezultat i standardit ekonomik e para, e dyta kostoja e cila është zgjeruar brenda vetë sistemit gjyqësor të Kosovës, si rezultat i zhvillimit teknologjik, por që për të gjitha paditë civile për të cilat është ngritur taksa është e rëndësishme të potencojmë se kanë karakter pasuror”, tha Maxhuni në “Tempus“ në KTV.

Sipas tij, një numër i madh i qytetarëve lirohen nga taksa, bazuar në statusin e tyre social.

“Nuk ka asnjë rast të vetëm kur kemi një taksë e cila ngarkon për çështje të tjera përveç taksave për paditë që kanë karakter pasuror respektivisht lidhur me pronën, çështje të tjera, të dëmve, kontesteve të punës, aspekteve administrative, komerciale, e që lidhen me aspekt pasuror”, shtoi Maxhuni./BetimipërDrejtësi