Avokati Yll Zekaj ka dënuar rritjen e taksave gjyqësore që nga fillimi i këtij viti, duke thënë se me udhëzimin e ri administrativ për unifikimin e taksave gjyqësore, sistemi gjyqësor po u vendos barrë të rëndë financiare qytetarëve dhe bizneseve, duke cenuar drejtpërdrejt qasjen në drejtësi.
Sipas Zekajt, udhëzimi i ri i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka hyrë në fuqi nga 1 janari dhe parasheh rritje të taksave për të gjitha veprimet procedurale në gjykatat e Kosovës, me çmime që janë “shumëfish më të larta” krahasuar me ato që aplikoheshin deri në fund të vitit të kaluar.
“Nëse mendohet se numri i lëndëve në gjykata do të ulet përmes rritjes së taksave, ky është gabim i madh dhe cenim i drejtpërdrejtë i qasjes në drejtësi”, ka shkruar Zekaj në Facebook.
Zekaj ka paraqitur disa shembuj konkretë nga procedurat civile në Gjykatën Themelore. Deri vitin e kaluar, taksa për padi me vlerë kontesti nga 0 deri në 1,000 euro ishte 20 euro, ndërsa tani për vlera nga 0 deri në 5,000 euro taksa është rritur në 60 euro. Për konteste nga 50,001 deri në 100,000 euro, taksa nga 150 euro është rritur në 300 euro. Po ashtu, taksa për padi për pengim posedimi është dyfishuar nga 50 në 100 euro, ndërsa për propozim për sigurimin e provës nga 30 euro është rritur në 100 euro.
Rritje edhe më të mëdha, sipas tij, janë aplikuar në Gjykatën Komerciale, ku bizneset do të përballen me taksa “astronomike”.
“Për padi me vlerë kontesti deri në 25,000 euro, taksa e re është 200 euro, ndërsa për konteste nga 50,001 deri në 100,000 euro, taksa është rritur në 500 euro. Edhe këtu, padia për pengim posedimi nga 50 euro ka shkuar në 200 euro, ndërsa propozimi për sigurimin e provës nga 30 në 200 euro”, ka shkruar Zekaj.
Avokati paralajmëron se këto rritje, të kombinuara edhe me tarifat e rritura të avokatëve, do të sjellin ulje të ndjeshme të inicimit të rasteve në gjykata.
“Me këto shpenzime procedurale, kërkimi i realizimit të së drejtës në sistemin e drejtësisë do të jetë privilegj vetëm për ata që kanë mundësi financiare ta përballojnë gjithë procedurën deri në fund”, ka theksuar Zekaj.
Postimi i plotë: