Burim Ademi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se nuk e di që ka rezistenë joformale të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe se janë dy çështje që bien direkt ndesh me Kushtetutën.
“Sinqerisht unë nuk e di që ka një rezistencë joformale në kontekst të kundërshtimit të ligjit dhe unë që në fillim thash që ky ligj si iniciativë legjitime dhe po ashtu me tri baza të aspektit të nivelit kushtetutues”, tha gjykatësi Ademi.
Mirëpo, sipas tij janë dy çështje thelbësore që duhet t’i ketë parasysh Ministria e Drejtësisë, e që që mund të bien ndesh drejtpërdrejt me normat kushtetuese.
“E para, ky ligj flet për efikasitetin dhe rrjedhimisht realizimin e një të drejte për kompensim. Në këtë kontekst, Kushtetuta në nenin 108, paragrafi 5, i jep vetëm Këshillit Gjyqësor kompetencë për administrimin e sistemit gjyqësor, që përbëjnë edhe aspekti i adminsitrimit të çështjeve në procedurat gjyqësore, që i jep bazë kushtetuese për të nxjerrë rregulla sipas ligjit”, shtoi ai.
Tutje, gjykatësi Ademi tha se ky ligj nuk parasheh asnjë mundësi që Këshilli Gjyqësor të ndërtojë çfarëdo rregullash për të zbatuar efektivisht këtë ligj në qoftëse edhe shkon kështu.
“Në mënyrë kategorike Këshilli Gjyqësor, por edhe tërë sistemi gjyqësor kundërshton një veprim të tillë brenda dispozitave ligjore, që të jetë me zbatim, apo me vendosje për çështjen e kompensimit në nivel të Gjykatës Supreme”, theksoi gjyaktësi Ademi.
Sipas tij, kjo krijon probleme në efikasitet dhe se pala nuk ka mjete efektive-juridike.
“Për arsye se krijon probleme në efikasitet. Për arsye se s’ka mjete efektive-juridike pala dhe rrjedhimisht, pala pretendohet se mund të kompensohet nga 200 deri në 4 mijë. Dhe çka në qoftë se Gjykata Supreme vlerëson se 300 është e mjaftueshme, po pala thotë nuk është e mjaftueshme, unë du me bo ankesë, Ku ta çojmë pastaj çështjen e tillë?”, shtoi tutje ai. /BetimipërDrejtësi
Avokati Qerkini: Vërejtjet tona janë për përmirësim të ligjit
Avokati Artan Qerkini, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se vërejtjet janë për përmirësimin e ligjit.
Fillimisht, ai tha se ky ligj duhet të vlejë edhe për procedurën penale, pasi sipas tij edhe një i pandehur është i interesuar që çështja e tij të përfundojë brenda një afati të arsyeshëm.
Sipas avokatit Qerkini, një person që është subjekt i procedurës penale, ka interes juridik që çështja e tij të përfundojë brenda një afati të arsyeshëm.
“Sepse procedura penale kufizon të drejtën, një person i cili është subjekt i procedurës penale është i suspenduar nga puna. Një person i cili është në procedurë penale, nuk mund të aplikojë në një tender publik. Një person i cili është në procedurë penale, nuk mund të punësohet në një institucion publik”, tha avokati Qerkini.
Sipas tij, ky Projektligj e adreson materien e gjykimit brenda afatit të arsyeshëm, mirëpo tha se vërejtjet janë në funksion të përmirësimit të cilësisë së ligjit dhe se nuk janë në funksion të atakimit të dikujt se përse e ka bërë ligjin.
“Ligj perfekt nuk ka, vetë kemi qenë në grupe punuese. Kemi pranu shumë vërejtje, i kemi inkorporu, sepse qëllimi është i përbashkët që të jetë një ligj cilësor i cili në mënyrë të drejtë e adreson një brengë të madhe të qytetrëve të Republikës së Kosovës. Prandaj, mendoj se ne tani duhet të fokusohemi në detaje, sepse brumi ekziston, materia ekziston. Mirëpo, detajet janë ato që e bëjnë këtë ligj funksional apo jo funksional”, shtoi avokati Qerkini. /BetimipërDrejtësi
Qorrolli thotë se ka keqkuptime për Projektligjin, Shala i kërkon të bëjnë dallimin mes procedurave
Vigan Qorrolli, zëvendësministër i Drejtësisë, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se ka keqkuptime për Projektligjin për gjykim në afat të arsyeshëm, por Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha se duhet të bëjnë dallimin mes procedurës hetimore dhe asaj gjyqësore.
Gjatë debatit me Shalën, Qorrolli i tha se nuk është e nevojshme që të merren me padi që janë pakicë, pasi që sipas tij lëndët e shujatve janë padi pakicë kundrejt lëndëve tjera.
Në anën tjetër, Shala i tha se duhet që a bëjnë dallimin mes procedurës hetimore dhe gjyqësore.
“A e bëni dallimin midis procedurës hetimore dhe procedurës gjyqësore, une po e shoh, është mirë me bo”, shtoi Shala, duke theksuar se duhet dalluar faza hetimore dhe procedura gjyqësore.
“Neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlen përshtatshmërisht si për procedurë penale si për procedurë civile”, tha ai.
Sipas tij, për të kuptuar cili është qëllimi i ligjit, duhet kuptuar se Ligji thotë se në hetimin e veprave penale vlen afati maksimal i kohëzgjatjes së hetimeve sipas Kodit të Procedurës Penale.
“Që tri vjet e gjysmë e keni ndërtu një narrativë që çdo gjë….”, tha Qorrolli, kurse Shala i reagoi duke i thënë se nuk po e bën dallimin e procedurave.
“Ideja pse është bo 3 plus 2 është ide që ta kishim bo ne 6 muaj, 1 vjet, 2 vjet, prapë kishi thanë pse. Unë po e kuptoj, edhe raportin e kam lexu edhe po ju dëgjoj me shumë vëmendje, që ju keni një problem që ka të bëjë me një ngarkesë në sistemin e drejtësisë sepse këto janë edhe probleme të Këshillit Gjyqësor, të cilat i kanë shpreh joformalisht, por shpresoj që ditën e premte kur mbahet punëtoria do t’i shprehin”, tha Qorrolli.
Zëvendësministri theksoi se ka keqkuptime mbi bazën e asaj se cfarë thotë Jurisprudenca aktive që e ka cituar edhe Gjykata Kushtetuese, në të paktën tri lëndë.
“Thotë që është në dorën e shteteve anëtare që t’i përcaktojnë kufijtë normativ të veprimit të këtij neni të 6-të të Konventës që lidhet brenda gjykimit të drejtë”, tha ai.
Sipas tij, është menduar se 36 muaj janë një afat optimal në shkallë të parë, teksa shtoi se e dinë kompleksitetin pasi ka probleme në shkallë të parë. Ai tha se Ligji po bëhet për qytetarët lëndët e të cilëve nuk po marrin epilog. /BetimipërDrejtësi
Shala: S’di cili informacion na mungon si IKD, e konsideroj pamaturi deklaratën e ministres
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se është e çuditshme deklarata e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilën e ka bërë pas publikimit të raportit të IKD-së “Problemet e reformës në drejtësi” (Analizë e katër Projektligjeve që dalin nga “Deklarata e Përbashkët e Zotimeve”), pasi aty janë të dhënat që objekt analize kanë Projektligjet e publikuara në platformën e konsultimeve punuese dhe IKD ka qenë pjesë e grupeve punuese.
Haxhiu kishte deklaruar sot se raporti i IKD-së nuk qëndron dhe se sipas saj IKD nuk i ka informacionet e duhura sa i përket reformës në drejtësi.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Shala tha se nuk e di se cili informacion i mungon ministres dhe se e konsideron pamaturi të ministres për një deklaratë të tillë.
Shala tha se në dy raportet e publikuara nga IKD, janë të dhëna që për objekt analize kanë dy projektligjet që janë publikuar në platformën e konsultimeve publike.
“Është pak e çuditshme kjo deklaratë për shkak se të dhënat që trajtojnë dy raportet, edhe ai sot edhe ai të premten, janë të dhëna që për objekt analize kanë dy Projektligjet që janë publikuar në platformën e konsultimeve publike”, tha ai.
Gjithashtu, Shala tha se IKD ka qenë po ashtu edhe pjesë e grupeve punuese për draftimin e këtyre projektligjeve dhe që logjikisht i bie që informatat derivojnë nga këto burime.
“Përderisa kemi qenë vazhdimisht edhe pjesë e grupeve punuese edhe e kemi pa Projektligjin, nuk e di për çfarë informacioni, cili është ai informacion që ne nuk e kemi dhe që do duhej ta kishim”, shtoi Shala.
Tutje, ai tha se në kuptim të bashkëpunimit ndërinstitucional është fakt i ditur, se deri më 20 mars të vitit 2024, ka pasur takime të vazhdueshme mes akterëve të sistemit të drejtësisë, Ministrisë së Drejtësisë, KGJK-së, KPK-së, e të tjera, për draftimin e këtyre projektligjeve, derisa më 20 mars të këtij viti janë tërhequr.
“Ambasada Amerikane, Zyra e Bashkimit Evropian, OSBE, kanë shfaqur edhe keqardhjen e tyre pse të gjithë akterët e sistemit të drejtësisë nuk janë bashkë për të adresuar problemet që duhen të adresohen përmes deklaratës së zotimeve”, deklaroi Shala.
Shala tha se kjo është një pamaturi të cilën nuk e kupton.
“Dua të besoj që ky ka qenë një lëshim teknik dhe pamaturi e minsitres së Drejtësië, pasi nuk dua të besoj se kjo është bindje, se nëse është bindje, atëherë ministrja e Drejtësisë është e painformuar dhe definistivisht nuk do duhej të paraqitej kjo situatë, thejsht është një pamaturi të cilën nuk e kuptoj”, shtoi ai. /BetimipërDrejtësi
Gjyqtari Ademi: Vetë GjEDNj-ja refuzon të përkufizojë afate strikte për gjykim në afat kohor
Burim Ademi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se vetë Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) refuzon të përkufizojë afatet strikte për gjykim në afat kohor.
“Kam frikën që përderisa nuk ka rezultuar e arsyeshme për atë gjykatë dhe për shumë shtete të tjera që të përkufizojnë afatet strikte, në këtë kontekst kam frikë që mund të krijohen probleme”, tha Ademi.
Gjyqtari e konsideron si të nevojshme nxjerrjen e Ligjit për gjykim në afat të arsyeshëm kohor dhe thotë se nga këto veprime duhet të kemi kujdes për ndërtimin e normave.
“Konsidrojmë se nxejrrja e një Ligji të tillë është legjitime se u dha argumenti historik të shumë vendeve sidomos nga lindja nga këto veprime. Në anën tjetër unë e kosndieroj që duhet me pas shumë kujdes se si janë normatizu normat”, tha Ademi.
Ai tha se kanë frikë që ligji i tillë do të jetë i pamundur në praktikë.
“Kam frikë sepse është fakt se Këshilli Gjyqësor sidomos në tri vitet e fundit ka ndërmarë veprimet permanente që ndërlidhen me efikasitetin gjyqësor, duke filluar nga aktet që ka ndërtuar vetë KGJK, duke filluar prej normës që ka përcaktuar për gjyqtarë, që tregon se KGJK kërkon një efikasitet të vazhdueshëm të gjyqtarëve në punën e tyre”, tha Ademi.
Ai shtoi se është nxjerrë rregullore edhe për bashkëpuntorë profesionalë, që tregon se sektori mbështetës i sistemit gjyqësor duhet të kontrollohet për impaktin e efikasitetit që punës që e bëjnë brenda sistemit gjyqësor. Po ashtu, tha se ka ndërtuar Strategji për efikasitetin e procedimit të lëndëve, duke i proeritizuara ato.
“Krejt këto janë funksion të efikasitetit gjyqësor dhe përkundër këtyre akteve dhe veprimeve, që KGJK ka ndërtuar edhe një mekanizëm të mbikëqyrjes së Strategjisë, që është niveli me lartë i sistemit gyqësor që përbëhet nga 5 gjykatës të Gjykatës Supreme, të cilët në mënyrë permanente kanë mbikëqyrje dhe pranojnë raporte të vazhdueshme nga degët, nga Gjykata Themelore, nga Gjykata e Apelit, nga departamentet e veçanta dhe udhëheqësit e deparatmenteve të veçanta”, shtoi Ademi.
Përkundër këtyre veprimeve, ai thotë se është e dukshme që nuk zgjidhet aq thjesht çështja e efikasitetit. /BetimipërDrejtësi
Avokati Qerkini: Barra e efikasitetit të rastit është tek gjykatat dhe jo palët
Avokati Artan Qerkini, tha e barra e efikasitetit të rastit është tek gjykatat dhe jo tek palët.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Qerkini tha se përderisa Kushtetuta ua garanton qytetarëve një të drejtë për gjykim brenda një kohe të arsyeshme, pa një ligj të kësaj natyre, kjo e drejtë mbetet si një e drejtë në letër.
“Edhe atëherë kur qytetarët janë ankuar në Gjykatën Kushtetuese se iu është shkelur kjo e drejtë, ata nuk kanë marrë kompensim material për shkelje të kësaj të drejte, përderisa ky Ligj e parasheh një kompensim të arsyeshëm brenda mundësive buxhetore të Republikës së Kosovës për qytetarin që i cenohet kjo e drejtë”, tha Qerkini.
Ai tha se në Ligj duhet të përcaktohet se kur fillon të rrjedhë afati për gjykim në kohë të arsyeshme. Sipas Jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut, ai thotë se afati në procedurë penale rrjedhë nga momenti kur i pandehuri për herë të parë njoftohet për dyshimin e bazuar se ka kryer vepër penale.
“T’ju them të drejtën, kur jemi te faji i palës për zvarritje në bazë të ligjeve procedurale të Kosovës pala s’mundet me pas faj. Pse? Sepse afatet janë strikte dhe ka pasoja juridike për mosrespektim të afateve dhe ka gjykata mekanizëm të sanksionimit për mosrespektim të disiplinës procedurale. Kështu që ligjvënësi e ka bartur barrën e efikasitetit procedural tek gjykata”, tha avokati Qerkini.
Ai tha se pajtohet në shumë pika me raportin e IKD-së “Gjykimi brenda afatit të arsyeshëm”, i publikuar më 5 korrik 2024, ku thuhet se përkundër qëllimit legjitim të Projektligjit për të adresuar çështjen e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor, përmbajtja e Projektligjit nuk e adreson këtë çështje. Madje, ky Projektligj, me këtë përmbajtje, rrezikon që më tepër të krijojë kaos në sistemin gjyqësor.
Qorrolli: Mbi pesë aktgjykime të Kushtetueses konstatojnë shkelje të së drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme
Vigan Qorrolli, zëvendësministër i Drejtësisë, tha se ka mbi pesë aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, të cilat konstatojnë shkleje të së drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Qorrolli tha se qysh në vitin 2021 MD-ja ka nxjerrë një koncept-dokument dhe një Strategji për nxjerrjen e një Ligji për realizimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor.
Zëvendësministri theksoi se këtë vit kanë filluar përgatitjet për hartimin e draft-ligjit dhe këtë vit janë në fazën përfundimtare para miratimit në Qeveri dhe më pas në Kuvend. Pra, është në fazën e konsultimeve publike.
Ligji për gjykimin në kohë të arsyeshme tha se do të jetë një fundament shumë i rëndësishëm për shoqërinë tonë, pasi ka mbi 150 mijë lëndë në sistemin e dretësisë që janë aktive, e që qytetarët presin me vite që ato lëndë të zgjidhen.
Meqenëse jemi në prag të anëtarësimit në Këshill të Evropës, ai tha se do duhej të kishim një ligj të tillë sikurse e kanë shumica e shteteve të BE-së.
“Në konsolidimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese kemi mbi pesë aktgjykime të cila kanë vlerë normative të barabartë amendamentet kushtetuese dhe kanë një vlerë normative kushtetuese, ku konstatojnë shkelje të së drejtës për gjykim në kohë të arsyeshme”, tha Qorrolli.
Ai tha se rasti i fundit është i një qytetareje nga Gjakova, e cila ka iniciuar rastin më 2008 dhe ende nuk ka marrë epilog nga shkalla e parë rasti i saj.
“Imagjinojeni këtë 16-vjeç kur një qytetar i Republikës nuk arrin ta marrë atë që quhet satisfaksion i drejtë”, tha ai. /BetimipërDrejtësi