Tech

Twitteri nuk ia pranon Muskut tërheqjen nga blerja

Përfaqësuesit ligjorë të Twitterit po e konsiderojnë “të pavlefshme” tërheqjen e Elon Musk nga blerja e rrjetit social, duke i kërkuar ta finalizojë marrëveshjen me blerje, raportoi CNN-i të martën.

Në letrën e publikuar nga përfaqësuesit, thuhet se Musk e shkeli marrëveshjen dhe një vendim i tillë është i gabuar.

“Përfundimi i supozuar i zotit Musk dhe palëve të tjera është i pavlefshëm dhe i gabuar. Ai përbën një refuzim të detyrimeve të tyre sipas marrëveshjes”, thuhet në letrën, e nënshkruar nga avokatët, derisa thanë se Twitter nuk e ka shkelur asnjë detyrim ndaj shefit të Teslas.

Twitteri po pretendon se situata në lidhje me marrëveshjen ende është e njëjtë “dhe asgjë nuk ka ndryshuar”, duke theksuar se Musk duhet ta blejë “patjetër” kompaninë me seli në Kaliforni të SHBA-së.

Ditë më parë, Musk vendosi ta ndërpresë njëanshëm marrëveshjen për blerjen e Twitterit, nën arsyetimin se kompania nuk i dha qasje të hollësishme në përdoruesit robotë.

Për shkak të tërheqjes së Musk nga blerja, Twitterit i ranë aksionet të hënën për 9 për qind.