Tech

Tjetër fenomen i rrezikshëm në TikTok, Komisioni Evropian nis hetimet

TikTok

Komisioni Evropian po intensifikon hetimet ndaj TikTokut për shkak të shqetësimeve në rritje lidhur me fenomenin “SkinnyTok” —përmbajtje që synon të miturit dhe promovon dobësinë ekstreme në peshë si dhe zakone të dëmshme të të ushqyerit.

“SkinnyTok” është kthyer në trend në videot që lavdërojnë humbjen e shpejtë të peshës, postime të tipit “çfarë ha gjatë ditës” me sasi jashtëzakonisht të ulëta kalorish, dhe krahasime trupore, të cilat shpesh u serviren përdoruesve në mënyrë automatike përmes sistemit të rekomandimeve të TikTokut.

Zëdhënësi i Komisionit, Thomas Regnier, deklaroi në një konferencë për shtyp se kanë nisur hetimet lidhur me këtë fenomen.

“Jemi shumë të vetëdijshëm për këtë fenomen në TikTok. Menaxhimi i algoritmeve të dëmshëm, veçanërisht kur ato synojnë të miturit, është tashmë pjesë e hetimit që kemi hapur në shkurt të vitit të kaluar”, ka thënë ai.

Hetimi i BE-së ka për qëllim të vlerësojë nëse TikToku është në përputhje me Aktin e Shërbimeve Digjitale, përfshirë mënyrën se si algoritmet e tij mund të nxisin përhapjen e përmbajtjeve që lidhen me çrregullime të të ushqyerit.

“Jemi në komunikim me shtetet anëtare”, shtoi Regnier, duke theksuar se Komisioni “e merr këtë çështje jashtëzakonisht seriozisht për të mbrojtur fëmijët tanë”.

TikToku vazhdimisht po akuzohet për fenomene që po bëhen trendë, të rrezikshëm për përdoruesit.

Trendet e TikTokut shpesh kanë pasur pasoja për të miturit edhe në Kosovë.