Drejtori teknik i Remedy Entertainment, Mike Vehkala, kohët e fundit i zbuloi disa detaje për zhvillimin e lojërave për Playstation 5, duke përmendur se SSD-ja e zbuluar së fundmi është e mirë deri në masën që developerët mund të përfitojnë prej tyre, raporton COG.
Nëse niveli i detajeve grafike është si ai që e shohim në gjeneratën aktuale të lojërave, koha e leximit do të ishte pothuajse e menjëhershme. Vehkala zbuloi se programerët mund të jenë edhe dembelë dhe ta shmangin optimizimin e të dhënave që lexohen nga SSD, gjë që do ta bënte kohën e leximit të ngjashme me atë të gjeneratës aktuale. Edhe pse deri në daljen e konzolës ka mbetur edhe një vit, shumë developerë tashmë janë duke punuar në gjeneratën e re të lojërave.
"Nëse lojërat për nga madhësia dhe cilësia vizuale do të mbeteshin në të njëjtin nivel, leximi në lojërat PS5 do të ishte i pavëmendshëm, ndërsa ristartimi i niveleve momental", tha Mika Vehkala, shkruan KOHA Ditore. "Nga ana tjetër, meqë tani është e mundur të përdoren shumë më shumë të dhëna, me siguri do të ketë raste që për shkak të zhvillimit më të shpejtë dhe më të lirë të lojërave të mos optimizohen përmbajtjet, gjë që do ta nxiste nevojën për të lexuar shumë më shumë të dhëna dhe koha e leximit të kthehet në nivelin që e kemi edhe sot."
Shpresojmë që Sony do t’ia dalë disi të parandalojë raste të tilla.
Një skenar tjetër është që developerët të përfitojnë plotësisht nga mundësitë e konzolës së re për ta rritur cilësinë vizuale duke e shtuar një mjedis më të pasur në brendi të lojës, gjë që përsëri do të mund të ndikonte në mundësinë e SSD-ve për t’i lexuar me shpejtësi të gjitha resurset e nevojshme. Edhe pse është e lehtë të imagjinohen rastet kur përvoja vizuale do ta justifikonte leximin më të gjatë, u takon programerëve të vlerësojnë nëse kjo është një arsye mjaft e mirë.