Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Nëse dështojnë telefonat fleksibilë, “Samsungu” ka patentën për dizajn tjetër

Në arsenalin e vet “Samsungu” e ka një zgjidhje për situatën nëse telefonat fleksibilë nuk arrijnë sukses në treg dhe ajo e zbulon patentën më të fundit të kompanisë koreano-jugore, raporton “LetsGoDigital”.

Aplikimi më i ri për patentë e zbulon një telefon me ekran të shumanshëm i cili mbështillet, ndërsa patenta është gjetur nga sajti “LetsGoDigital”. “Samsungu” e quan këtë patentë "telefon me ekran të shumanshëm", pasi që e zë pjesën e përparme, shtrihet përgjatë skajit të sipërm dhe pastaj shtrihet në rreth tri të katërtat e pjesës së pasme të pajisjes.

Image

Vendndodhja e kamerës së përparme dhe të pasme, si dhe e sensorëve të ndryshëm periferikë, është kudo nëpër telefon. Patenta e “Samsungut” i mbulon disa variacione të mundshme ku mund të vendosen këta sensorë, duke përfshirë hapjet për displej, siç janë ato në linjën e telefonave Galaxy S10, shkruan KOHA Ditore.

Skaji i sipërm është pa dyshim pjesa më interesante e këtij dizajni, ku “Samsungu” e planifikon shfaqjen e informacioneve dhe njoftimeve të ndryshme. Përveç ekranit të shumanshëm, “Samsungu” i ka disa ide të tjera për pajisjen e tillë - gjestikulacionet me duar përmes ekranit në anën e pasme.