Edhe pse Samsung Galaxy Fold është telefoni i parë në linjën e pajisjeve të kompanisë me ekran fleksibil, e dimë se prodhuesi i Koresë së Jugut është në procesin e përgatitjes së modeleve të tjera. Një prej tyre do të jetë telefoni që paloset nga jashtë. Patenti i ri i Samsungut, i publikuar nga organizata WIPO, tregon se si mund të duket një telefon i tillë, raporton LetsGoDigital.
Gjykuar nga skicat e patentit, pajisja është goxha kompakte, madje edhe kur shpaloset plotësisht. Mentesha në mes mundëson që ekrani të hapet në modalitetin full-screen, si dhe të fiksohet në mënyrë të sigurt nëpër një slajder të vogël në anën e pasme të pajisjes. Mekanizmi do ta parandalojë lakimin e padëshirueshëm, por mbetet për t'u parë se si do të funksionojë kjo gjatë përdorimit të përditshëm, shkruan KOHA Ditore.

Detajet, siç janë kamerat dhe portet, aktualisht nuk janë të dukshme. Mbetet për t'u parë se kur planifikon Samsungu ta zbatojë dizajnin e patentit, ndërsa raportet e mëhershme kanë sugjeruar se kjo mund të pritet gjatë vitit 2020.