CEO i SpaceX, Elon Musk, do ta zhvillojë takimin e parë me punonjësit e Twitterit, që nga nisja e ofertës për blerjen e rrjetit social.
Takimin do ta zhvillojë këtë të enjte, e Musk pritet të marrë pyetje nga punonjësit, ka njoftuar shefi ekzekutiv i Twitterit, Parag Agrawal nëpërmjet një e-maili drejtuar stafit, shkruan BBC-ja të martën.
Muskut nuk i ka shkuar siç duhet oferta për blerjen e Twitterit. Ai i pati ofruar 44 miliardë dollarë për të, por problemet nisën kur nisi të kërkonte të dhëna për gjendjen e kompanisë dhe qarkullimin e përdoruesve-robotë.
Ditë më parë, Musk ia dorëzoi një letër ekipit të rrjetit social, duke thënë se ka të drejtë të bëjë matjen e llogarive robote, që janë aktive. Pretendimet e tij janë se mbi 5 për qind e përdoruesve në Twitter, janë robotë, që publikojnë të dhëna të fabrikuara.
Hezitimi i Muskut për blerjen e Twitterit pas paqartësive me ekipin, po shihet si tentim për ta rinegociuar çmimin. Analistët thanë se Musk po tregohet joserioz në raport me ofertën.
Blerja ende nuk është finalizuar.