Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Microsofti shqyrton pajisjet fleksibile me mentesha të mbushura me lëng

Vizioni i Microsoftit për pajisjet me dy ekrane është akoma aktual, ndërsa aplikimi i fundit për patentë e konfirmon këtë. Microsofti e ka regjistruar në organizatën WIPO patentën për një pajisje të palosshme, ekranet e së cilës bashkohen nga mentesha e mbushur me lëng ose gaz për ta parandaluar ose zvogëluar shfaqjen e zhubrosjeve/rrudhave në ekranin e palosshëm, si dhe depërtimin e grimcave të huaja në pajisje, raporton Engadget.

Patenta vjen nga ana e ekipit të teknologjisë së Microsoftit për licencim, gjë që sugjeron që patenta nuk është e rezervuar për ndonjë pajisje specifike, apo edhe për ndonjë pajisje specifike të Microsoftit, shkruan KOHA Ditore. Kompania mund t’ia licencojë teknologjinë prodhuesve të tjerë të harduerit, pasi që ekranet e palosshme të bëhen më praktike.

Nuk pritet që gjatë ngjarjes së Microsoftit, të paralajmëruar për 2 tetor, ta shohim pajisjen fleksibile Surface. Më herët kemi pasur informacione se Microsofti është duke e përgatitur një kompjuter të madh me dy ekrane dhe softuer më të reduktuar Windows Lite, por kjo nuk do të thotë që pajisja do të ketë ekran të palosshëm. Kjo mund të rezervohet për ndonjë pajisje të ardhshme fleksibile me Windows.