Tech

Surface Laptop 3 nga Microsofti mund të vijë me model 15 inçësh

Deri më tani, përdoruesit duhej të blinin Surface Book 2 nëse donin laptop të Microsoftit që është më i madh se 13.5 inçë. Së shpejti, nuk do të jetë e nevojshme të harxhoni kaq shumë para në një Surface më të madh, raporton Engadget.

Sajti WinFuture pohon se Microsofti do ta prezantojë versionin 15 inçësh të laptopit të ardhshëm Surface (me siguri do të jetë Surface Laptop 3), gjatë ngjarjes së kësaj kompanie të planifikuar për 2 tetor, shkruan KOHA Ditore. Detajet rreth pajisjes nuk janë ende në dispozicion, por Microsofti thuhet se po planifikon ta ruajë raportin e ekranit prej 3:2, siç ka bërë edhe për Surface Bookun më të madh.

Për më tepër, sajti The Verge pret që gjatë prezantimit ta shohim Surface Laptop 3 i cili do të punojë falë AMD, i cili do të ishte Surface i parë i bazuar në AMD. Nuk dihet nëse çipseti i ri do të jetë në dispozicion për sistemin 15-inçësh ose 13.5-inçësh, ose ndoshta për të dy.

Gjatë ngjarjes së tetorit, mund t’i shohim edhe disa pajisje të reja të Microsoftit, duke përfshirë modelin e azhurnuar të Surface Pro, sistemin me çipset Qualcomm Snapdragon, por edhe Surface me dy ekrane për të cilin është duke u folur tash ca kohë.