Komisioni Evropian akuzoi Applen se ka abuzuar me pozitat dominuese në treg për pagesat contactless përmes smartfonëve.
Kompania amerikane ka thyer ligjet e konkurrencës me teknologjinë “tap and go”, duke mos lejuar rivalët ta përdorin atë, shkruan Bloomberg.
Apple mohoi akuzat duke thënë se do t’i japë një përgjigje Komisionit Evropian. Nëse akuzat provohen të vërteta, Apple mund të gjobitet me 10% të të ardhurave globale vjetore të vitit 2021.
Sipas Komisionit, sjellja e Apples ka pasur një efekt negativ ndaj konkurrencës duke kufizuar aksesin në inovacion dhe zgjedhje për konsumatorët.
Në përgjigje, gjiganti i teknologjisë ka thënë se sistemi i saj i pagesave ishte vetëm një prej shumë opsioneve të disponueshëm te konsumatorët evropian.
Nuk është hera e parë që Komisioni akuzon Applen për praktika anti-konkurruese, akuza që fillojnë që prej 2015-s kur lansoi Apple Pay.
Më shumë se 2.500 banka në Evropë përdorin Apple Pay dhe smarfonët e Apple zënë 1/3 e tregut në Evropë. Vitin e ardhshëm, BE-ja synon të implementojë rregulla për firmat e teknologjisë me Aktin e Tregjeve Digjitale.