Bashkimi Evropian pritet ta gjobisë kompaninë teknologjike Apple rreth 500 milionë euro për shkak të disa shkeljeve të supozuara të ligjit të konkurrencës.
Siç ka raportuar Financial Times, duke cituar burime të paidentifikuara, gjoba pritet të shpallet gjatë muajit të ardhshëm.
Komisioni Evropian, i cili vitin e kaluar e akuzoi Applen për shtrembërim të konkurrencës në tregun e transmetimit të muzikës nëpërmjet rregullave të App Store që i pengojnë zhvilluesit të informojnë përdoruesit për opsionet e tjera të blerjes, nuk pranoi të komentojë mbi këto zhvillime.
As Apple nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.