Tech

Apple në telashe me BE-në për shkak të App Stores

Rregullatorët e Bashkimit Evropian “ngushtuan” çështjen kundër Appleit, duke thënë se rregullat e App Store që pengojnë zhvilluesit të informojnë përdoruesit për opsionet e tjera të blerjes, shkelin rregullat e bllokut evropian kundër kushteve të padrejta të tregtimit.

Komisioni Evropian, i cili përfaqëson degën ekzekutive të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, hodhi poshtë akuzën e mëparshme se Apple u kërkonte zhvilluesve të përdornin sistemin e saj të pagesave brenda aplikacionit, raporton Reuters.

Organet rregullatore të BE-së thanë se të ashtuquajturat “detyrime” të Appleit për zhvilluesit nuk janë të nevojshme për ofrimin e shërbimeve të App Store në pajisjet iPhone dhe iPad dhe se ato janë të dëmshme për përdoruesit e shërbimeve të transmetimit të muzikës në pajisjet celulare Apple.

Apple ka thënë se ishte i kënaqur që Komisioni kishte “ngushtuar” çështjen dhe do t'i përgjigjej shqetësimeve të rregullatorit.

Rasti u ngrit nga Spotify, i cili u ankua se Apple i kufizoi në mënyrë të padrejtë rivalët në shërbimin e vet të transmetimit të muzikës, Apple Music në iPhone.