Tech

Kërkohet hetim ndaj ChatGPT-së pas shqetësimit për dëme të mundshme ndaj konsumatorëve

ChatGPT

ChatGPT

Organizata Evropiane e Konsumatorit (BEUC), mes shqetësimeve rreth ChatGPT-së dhe chatbot-eve të tjera të inteligjencës artificiale, u ka bërë thirrje agjencive të mbrojtjes së konsumatorëve të BE-së që t’i hetojnë ato mbi dëmet e mundshme që mund t’iu sjellin individëve, raportoi të hënën Reuters.

Popullariteti në rritje i ChatGPT-së së Open AI, i mbështetur nga Microsofti, që mund të imitojë njerëzit dhe të krijojë tekst dhe imazhe bazuar në udhëzime, ka nxitur gjigantët tjerë të teknologjisë si Google, Amazon dhe Meta Platforms që të krijojnë mjete të ngjashme.

BEUC, grupi i përbërë nga 46 organizata të konsumatorëve nga 32 vende, i paraqiti shqetësimet e tij me letra të veçanta në fillim të këtij muaji rrjetit të autoriteteve të sigurisë së konsumatorit (rrjeti CSN) dhe rrjetit të autoriteteve për mbrojtjen e konsumatorëve (rrjeti CPC).

Sipas këtij grupi, përmbajtja e prodhuar nga chatbot-et, e cila duket e vërtetë dhe e besueshme, por shpesh është faktikisht e pasaktë, mund të mashtrojë konsumatorët dhe gjithashtu të rezultojë në reklama mashtruese. Sipas tij, konsumatorët e rinj dhe fëmijët janë më të prekshëm ndaj rreziqeve të tilla.

"Ju kërkojmë të hetoni rreziqet që këto sisteme të AI paraqesin për konsumatorët si një çështje urgjente, për të identifikuar praninë e tyre në tregjet e konsumit dhe për të eksploruar se çfarë masash korrigjuese duhet të ndërmerren për të shmangur dëmtimin e konsumatorëve", ka thënë zëvendës drejtoresha e Përgjithshme e BEUC-s, Ursula Pachl.

Grupi i bëri thirrje Rrjetit të Sigurisë së Konsumatorit që të nisë një shkëmbim informacioni dhe një hetim mbi rreziqet e sigurisë së këtyre produkteve.