Rreth 42 shoqata dhe sindikata gjermane që përfaqësojnë më shumë se 140 mijë autorë dhe interpretues kanë kërkuar nga Bashkimi Evropian të mërkurën që të përforcojë draft rregullat e inteligjencës artificiale, duke veçuar kërcënimin ndaj të drejtave të autorit nga ChatGPT-ja, raportoi të mërkurën Reuters.
Sindikatat për sektorin krijues Verdi dhe DGB dhe shoqatat për fotografët, dizajnerët e gazetarët parashtruan shqetësimet e tyre në një letër drejtuar Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe ligjvënësve të BE-së.
Në këtë letër janë theksuar shqetësimet në rritje në lidhje me inteligjencën artificiale gjeneruese (AI) si ChatGPT, e cila und të krijojë tekste dhe imazhe bazuar në kërkesa.
"Përdorimi i paautorizuar i materialit të mbrojtur të trajnimit, përpunimi i tij jo transparent dhe zëvendësimi i parashikueshëm i burimeve nga prodhimi i inteligjencës artificiale gjeneruese ngrenë pyetje themelore të llogaridhënies, përgjegjësisë dhe shpërblimit, të cilat duhet të adresohen përpara se të ndodhë dëmi i pakthyeshëm," thuhet në letrën e parë nga Reuters.
Komisioni Evropian, i cili vitin e kaluar propozoi rregullat e inteligjencës artificiale, në muajt e ardhshëm do të përmbledhë detajet përfundimtare me ligjvënësit dhe shtetet anëtare të BE-së përpara se rregullat të bëhen legjislacion.