Funksioni SOS satelitor që e ka iPhone 14 tashmë po jep rezultate, shkraun DailyMail.
Autoritetet në Alaskë u njoftuan rreth orës 2:00 të mëngjesit të 1 dhjetorit se një burrë që udhëtonte me veturë dëbore nga Noorvik në Kotzebue aktivizoi funksionin SOS në iPhonein e tij pasi ngeci në rrugë.
Në bashkëpunim me ekipet lokale të kërkim-shpëtimit dhe qendrën e urgjencës të Appleit, katër gjurmues vullnetarë u dërguan drejtpërdrejt në koordinatat GPS të të bllokuarit.
“Burri u gjet dhe u transportua në Kotzebue. Ai nuk ka pësuar lëndime”, thuhet në raportin zyrtar.
Mund të thuhet se ai ishte me fat sepse Apple paralajmëroi se funksioni SOS i satelitit mund të mos funksionojë në vende mbi 62 gradë gjerësi, si në pjesët veriore të Kanadasë dhe Alaskës, dhe Noorvik dhe Kotzebue që janë afër 69 gradë.
Ushtarakët që ndihmuan në shpëtimin e burrit ishin të impresionuar nga saktësia dhe plotësia e informacionit që ishte pjesë e njoftimit të parë.
Funksioni SOS është krijuar për t'i bërë disa pyetje përdoruesve përpara se të dërgojë një njoftim dhe qëllimi është të përshpejtojë misionet e shpëtimit. Është një veçori e re e sigurisë në iPhone 14 që lejon përdoruesit të kontaktojnë shërbimet e urgjencës përmes një lidhjeje satelitore edhe kur nuk ka lidhje celulare ose Wi-Fi të disponueshme.
Në nëntor, Apple prezantoi funksionin për të gjitha modelet e iPhone 14 në SHBA dhe Kanada. Funksioni gjithashtu informon familjen dhe miqtë e përdoruesit për vendndodhjen e tyre gjatë udhëtimit jashtë mbulimit të rrjetit, gjë që është e mundur përmes aplikacionit Find My dhe ndarjes së vendndodhjes nëpërmjet satelitit.
Funksioni do të jetë i lirë për t'u përdorur për një periudhë prej dy vjetësh, dhe sa do të kushtojë pas kësaj nuk dihet ende.
Funksioni SOS është aktualisht i disponueshëm në SHBA dhe Kanada, por së shpejti do të arrijë në Francë, Gjermani, Irlandë dhe Britani të Madhe.