Në mediat ndërkombëtare po raportohet se shefi i Twitterit, Elon Musk, po planifikon të zhvillojë një platformë të inteligjencës artificiale, për t'i bërë konkurrencë kompanisë OpenAI, me aplikacionin ChatGPT.
TheGuardian shkroi se miliarderi Musk po mbledh ekipin për të punuar mbi këtë projekt të madh.
“Një grup njerëzish po investojnë në të. Është e vërtetë dhe ata janë të emocionuar për të”, tha një njohës i zhvillimeve për “Financial Times”, duke shtuar se kompania e Muskut tashmë është në rrugë të drejt për krijimin e platformës.
Kjo vjen një javë pasi Musk i kërkoi OpenAI të “ngadalësojë” punën, me arsyetimin se priten “rreziqe të mëdha”.
Kërkesa për pezullim të punës u bë nëpërmjet një letre publike të nënshkruar edhe nga disa kompani. Por, në fund rezultoi se disa nënshkrime ishin të rreme.