Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll i luan javën e ardhshme dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2026.
Kosova e synon kualifikimin, që do të ishte sukses historik. Për këtë i duhen pikët në ndeshjet me Ishujt Faroe në Prishtinë dhe me Holandën në udhëtim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSelektori i Kosovës, Bujar Qerimi, të mërkurën shpalli listën e hendbollistëve në të cilët llogarit për këto dy sfida. Ai bazohet në lojtarë tashmë të konfirmuar, ndërsa emër i ri në ekipin e zgjeruar është ai i Amar Muqollit. Hendbollisti i talentuar luan për Besa Famgasin dhe deri më tani ishte te Kosova U18. Në përfaqësuese kthehen Arbios Mushkolaj e Olsi Mulaj. Në ndeshjet e kaluara Mushkolaj ishte i lënduar, derisa Mulaj ishte me Kosovën U18.
Përfaqësuesja grumbullohet të dielën mbrëma në Prishtinë.
Ndeshja Kosovë - Ishujt Faroe është më 8 maj nga ora 20:15, në Pallatin e Rinisë.
Ndeshja me Holandën është më 11 maj në 's-Hertogenbosch.

Në Grupin 6 të fazës së dytë kualifikuese, Ishujt Faroe janë në vendin e parë me pesë pikë. Nga katër i kanë Ukraina e Holanda, ndërsa Kosova i ka tri pikë. Gara në grup vlerësohet plotësisht e hapur.
Në nismë të kualifikimeve Kosova kishte pësuar 32:21 nga Ishujt Faroe në Torshavn më 6 nëntor të vitit të kaluar. Më 10 nëntor kishte barazuar 33:33 me Holandën, favoriten e grupit, në Prishtinë. Muajin e kaluar Kosova fitoi 31:30 ndaj Ukrainës në Prishtinë e më pas humbi nga e njëjta përfaqësuese me rezultat 36:25 në Lituani.
Kosovës i duhet fitorja ndaj Ishujve Faroe për të shpresuar në kualifikim. Varësisht nga rezultati në ndeshjet e tjera, mund t'i duhen pikë edhe nga ndeshja e fundit me Holandën.
Në Evropian kualifikohen përfaqësueset e dy vendeve të para në secilin grup dhe katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë nga tetë grupe sa janë gjithsej. Pikërisht prej vendit të tretë Kosova e kërkon suksesin historik.