Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sporte të tjera

Serbëve u pengon që boshnjakët duartrokitën pas himnit të Kosovës: Skandal

Serbëve u pengon që boshnjakët duartrokitën pas himnit të Kosovës: Skandal

Himni i Kosovës është intonuar të enjten mbrëma në arenën “Mejdan” në Tuzla të Bosnjë-Hercegovinës.

Himnet e dy vendeve i paraprinë ndeshjes së hendbollit, e vlefshme për fazën e dytë kualifikuese për Botërorin 2027. Pas himnit të Kosovës shikuesit boshnjakë kanë duartrokitur. Dhe kjo u ka penguar mediave serbe.

“Para fillimit të ndeshjes në ‘Mejdanin’ e Tuzlës, himni i shtetit të rrejshëm jehoi në palestër, kurse publiku e përshëndeti me aplauz të madh. Kështu është përsëritur ajo që ndodhi në vitin 2023”, ka shkruar mediumi antishqiptar i Serbisë, Kurir.

Mediumi tjetër me qëndrim antishqiptar, “Republika”, ka shkruar për “skandal të paharrueshëm”.

“Vërtet e turpshme. Ajo që është dashur të jetë ndeshje kualifikuese për Botëror u kthye në një tjetër demonstrim politik dhe në fyerje direkte të integritetit territorial të Republikës së Serbisë, por edhe qëndrimeve zyrtare të vetë Bosnjë-Hercegovinës”, ka shkruar “Republika”.

Edhe “Pse nuk luajmë me Kosovën në futboll? Duhet të luajmë!” Futboll “Pse nuk luajmë me Kosovën në futboll? Duhet të luajmë!”

Sipas këtij mediumi, në Serbi duartrokitjet për himnin e Kosovës po shihen si provokim i qëllimshëm.

Në frymë të njëjtë kanë shkruar edhe media të tjera serbe.

“Serbët të tmerruar me skandalin shqiptaro-boshnjak”, është titulli i shkrimit të gazetës “Veçernji Novosti”.

Ndeshjen e fitoi Bosnjë-Hercegovina me rezultat bindës, 34:21. Për 40 minuta Kosova ishte thuajse e barabartë me Bosnjën. Por më pas hendbollistët vendas bënë shkëputje të madhe dhe thuajse siguruan avancimin në raundin e tretë dhe të fundit kualifikues.

Ndeshja e kthimit është të dielën prej orës 17:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Megjithatë përmbysja e epërsisë prej 13 golash është thuajse e pamundur.

Tre vjet më parë tifozët boshnjakë po ashtu kishin pritur ngrohtë Kosovën. Madje kishin shpalosur një baner ku shkruante: “Mirë se vini lojtarë të Kosovës së PAVARUR”.

Edhe Mesazhi i veçantë i tifozëve boshnjakë në ndeshjen e kaluar të Kosovës në Tuzla Sporte të tjera Mesazhi i veçantë i tifozëve boshnjakë në ndeshjen e kaluar të Kosovës në Tuzla

Këtë herë nuk kishte baner, por sërish serbëve u ka penguar realiteti – që Kosova luan e barabartë me të gjitha vendet e tjera të Evropës dhe me të gjitha simbolet e saj.

Bosnjë-Hercegovina ende nuk e njeh shtetin e Kosovës, për shkak të ndikimit të madh të serbëve në këtë vend. Por për dallim nga futbolli, në hendboll lejohen ndeshjet e dy vendeve, me klube e përfaqësuese.