Palestra “Bill Clinton” në Ferizaj pritet të mbushet sërish me adhurues të hendbollit. Ndeshja e së enjtes prej orës 20:00 do të jetë e fundit për këtë edicion në këtë palestër, por mund të jetë edhe përmbyllëse e gjithë kampionatit.
Në ndeshjen e dytë finale të plejofit takohen Kastrioti vendas dhe Rahoveci. Rahoveci e ka fituar 28:25 ndeshjen e parë finale, të luajtur të dielën në shtëpinë e “vreshtarëve”. Me tjetër fitore e siguron titullin e kampionit.
Në rast të fitores së Kastriotit, luhet edhe ndeshja e tretë, sërish në Rahovec të dielën e ardhshme.
Finalja e parë ishte interesante. Dallimi u bë në dhjetë minutat e fundit të pjesës së parë, kur vendasit realizuan seri 7:0. Ajo seri bëri që pjesa e parë të përfundonte 19:12 për Rahovecin, që e mbajti më pas epërsinë në pjesën e dytë.
Rahoveci vjet e fitoi titullin e parë dhe tani e kërkon të dytin në histori.
“Jam i kënaqur me fitoren në ndeshjen e parë, por jemi të vetëdijshëm që asgjë nuk ka përfunduar ende. Na pret një sfidë e madhe në Ferizaj kundër një ekipi cilësor si Kastrioti dhe në një palestër të mbushur me tifozë. Po përgatitemi maksimalisht për të dhënë më të mirën. Synojmë të mos i përsërisim disa gabime teknike në momentet vendimtare dhe kështu ta kërkojmë fitoren që do të na siguronte titullin”, ka thënë trajneri i Rahovecit, Leonard Cula.
Pjesën e rregullt të kampionatit, Rahoveci e përfundoi pa humbje të pësuar. E kishte vetëm një barazim, pikërisht ndaj Kastriotit, ndërsa të gjitha ndeshjet e tjera i fitoi. Në gjysmëfinale të plejofit, Rahoveci e eliminoi pa asnjë vështirësi skuadrën e Prishtinës.
“E respektojmë kundërshtarin, por besoj në punën dhe përkushtimin e djemve tanë”, ka shtuar Cula.
Kastrioti e ka fituar Kupën e Kosovës në dy edicionet e fundit. Këtë edicion në gjysmëfinale të Kupës e mposhti Rahovecin e në finale Besa Famgasin. Në finale, që u luajt po në “Bill Clinton”, ishin rreth 3.000 shikues.
Edhe të enjten mbrëma Kastrioti pritet ta ketë përkrahjen e shumë tifozëve. Gjasat janë të mëdha që palestra të mbushet sërish.
Trajneri i Kastriotit, Verim Zherka, është i vetëdijshëm për gabimet që i bëri skuadra e tij në ndeshjen e parë.
“Në takim me lojtarët konstatuam që ndeshja në Rahovec ishte më e dobëta e jona deri më tani. Kemi pasur shumë gabime teknike, por edhe sulmuesit nuk e kishin ditën. Megjithatë treguam që jemi ekip që luajmë deri në fund dhe nuk dorëzohemi kurrë. Tani e kemi ndeshjen në palestrën tonë të zjarrtë. E di që lojtarët do të japin maksimumin për fitore dhe nuk do të përsërisim gabimet e ndeshjes së parë. Jam i vetëdijshëm që do të jetë ndeshje e vështirë, por do të mundohemi maksimalisht që, bashkë me tifozët tanë të zjarrtë, të dalim fitues nga ndeshja”, ka theksuar Zherka.
Kastrioti stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e dytë. Në gjysmëfinale të plejofit e eliminoi Besa Famgasin e Pejës pas tri ndeshjeve. Ekipi ferizajas nuk e ka fituar titullin që prej vitit 2011.