Sport

Zyrtarizohet transferimi i Selmanit te Goteborgu

Astrit Selmani është kthyer në elitën e futbollit të Suedisë, Allsvenskan. Sulmuesi nga Kosova i është bashkuar skuadrës IFK Goteborg .

Lajmi është bërë zyrtar nga skuadra suedeze të premten gjatë ditës. Ai është huazuar për një edicion nga skuadra e Hapoel Beer Shevas izraelite, me mundësinë e blerjes përfundimtare

. “E di se si është të luash për një klub të madh si Goteborgu dhe e di situatën sfiduese në këtë skuadër. Por është një sfidë e re dhe jam shumë i motivuar për t’u ballafaquar me të”, ka thënë Selmani të premten për faqen zyrtare të klubit. Goteborgu ka njoftuar se ai do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje të shtunën.

Qendërsulmuesi Selmani është vlerësuar edhe nga drejtori teknik i Goteborgut, Ola Larsson.

“Astriti është sulmues me presing të lartë dhe golashënues me eksperiencë. Ka vetëbesim dhe personalitet, me shfaqje të seriozitetit në stërvitje e ndeshje. Astriti është i motivuar që ka ardhur këtu dhe dëshiron që të zë vend sërish te Përfaqësuesja e Kosovës”, ka thënë ai. Selmani në Allsvenskan ka luajtur edhe sa ishte pjesë e Hammarbyt. U transferua te Hapoel Beer Sheva, ndërsa si i huazuar luajti edhe te Midtjyllandi në Danimarkë. Selmani me Kosovën ka zhvilluar pesë ndeshje, ndërsa e ka një gol të shënuar në miqësore.