Sulmuesi Astrit Selmani ka konfirmuar të mërkurën se do të largohet nga skuadra e Goteborgut në fund të edicionit, kur edhe i skadon huazimi.
26-vjeçari u huazua në Suedi te Goteborgu nga Hapoel Beer Sheva e Izraelit në gusht të këtij viti. Me Hapoelin, Selmani ka kontratë deri në vitin 2025, ndërsa te klubi suedez do të jetë deri në fund të këtij viti.
Largimin e ka konfirmuar për mediumin “gp.se”.
“Kemi qenë të qartë se dëshirojmë katër apo pesë muaj, aty ku do të mund të luaja dhe të ndihmoja e të dhuroja energji. Ka qenë e hapur nga fillimi. Kjo ka qenë e planifikuar prej fillimit”, ka deklaruar Selmani.
Ai ka zhvilluar 12 ndeshje me skuadrën e Goteborgut në elitën suedeze, por nuk ka shënuar gol.