Astrit Selmani do të kthehet në stadiumin e Hammarbyt, por tani me një skuadër tjetër.
Sulmuesi i Goteborgut për kohë të gjatë ishte pjesë e Hammarbyt, ndërsa të shtunën ka thënë për mediat suedeze se nëse shënon, nuk do ta festojë golin për shkak të respektit ndaj kësaj skuadre.
26-vjeçari Selmani në vitin 2021 fitoi Kupën e Suedisë me Hammarbyn.
“Kam kujtime të mira atje. Do të jetë ndeshje interesante. Kam kaluar kohë të mirë dhe kam fituar trofe, kam pasur edhe aventurë evropiane dhe dashuri të madhe nga tifozët. Kam respekt për këtë skuadër dhe tifozët”, ka thënë Selmani për “Fotbollskanalen”.
Selmani ka zhvilluar gjashtë ndeshje me Goteborgun në këtë edicion në elitën e futbollit të Suedisë, por ende nuk ka shënuar gol.
Selmani është futbollist i Hapoel Beer Shevas, por është huazuar te Goteborgu deri në fund të nëntorit të këtij viti.