Zvicra e ka nisur me fitore Kupën e Botës për futbolliste.
Zviceranet të premten në Dunedin të Zelandës së Re, fituan 2:0 përballë Përfaqësueses së Filipineve, që debutoj në ngjarjen globale.
Ndeshja i ka takuar Grupit A, ku janë edhe Zelanda e Re e Norvegjia. Zvicra dhe Zelanda e Re i prijnë grupit me nga tri pikë nga ndeshjet e para.
Ramona Bachmann nga penalltia në minutën e 45-të dhe Seraina Piubel në minutën e 64-t, shënuan golat e fitores për zviceranet.
Me fitore garën e ka nisur edhe Përfaqësuesja e Spanjës, që triumfoi 3:0 përballë Kosta Rikës.
Spanjollet dominuan në këtë ballafaqim.
Valeria del Campo shënoi autogol në minutën e 21-të, ndërsa Aitana Bonmati dhe Esther Gonzalez Rodriguez, shënuan dy golat tjerë në minutën e 23-të dhe të 27-të.
Jenifer Hermoso humbi penalltinë në minutën e 34-t.
Spanja pati 46 tentime për gol. 12 prej tyre përfunduan në kornizën e portës, ndërsa u shënuan tri gola.
Kosta Rika e pati vetëm një tentim për të shënuar, por gjuajtja përfundoi jashtë.
Spanja e pati 80% të posedimit të topit dhe 22 gjuajtje nga këndi, ndërsa kundërshtaret vetëm një.
Në Grupin C janë edhe Japonia dhe Zambia.
Dueli tjetër i së premtes ndërmjet Nigerisë dhe Kanadasë përfundoi 0:0. I takoi Grupit B, ku prinë Australia me tri pikë. Kanadaja dhe Nigeria kanë nga një pikë, ndërsa pa pikë është Republika e Irlandës.