Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Zhdukja” e Shakhtarit, klubit më të suksesshëm ukrainas

Klubi i suksesshëm i futbollit nga Ukraina, Shakhtar Donetsk, është përballur me luftën që nga viti 2014. Mirëpo, këtë herë Shakhtarit nuk po i mungon vetëm stadiumi, por edhe futbollistët.

Klubi më i njohur dhe më i suksesshëm ukrainas thuajse është zhdukur në luftën të cilën muajin e kaluar e nisi Rusia për ta pushtuar Ukrainën.

Mediumet kanë raportuar të martën se Shakhtari praktikisht më nuk ekziston. I ka mbetur vetëm emri për shkak që lojtarët janë larguar nga Ukraina, së bashku me shtabin teknik. Jashtë vendit raportohet se tashmë është edhe pronari i Shakhtarit, që është vendosur në Zvicër.

Shakhtari, që është themeluar para 85 vjetësh, ishte kthyer në simbol të kësaj lufte të pakuptimtë mes Rusisë e Ukrainës. Klubi ka qenë në mërgim për më shumë se shtatë vjet. Shakhtari me forcë ishte detyruar të largohet nga qyteti i Donetskut për shkak se stadiumi i tij i bukur, “Donbass Arena”, i ndërtuar në vitin 2009 enkas për Evropianin 2012, u shkatërrua nga bombat ruse. Kjo ndodhi në shtator të vitit 2014 kur forcat proruse nisën aneksimin e Krimesë dhe disa pjesëve të tjera, si Donetsku e Luhansku. Prej atij viti, Shakhtari ka udhëtuar nga qyteti në qytet për t’i zhvilluar ndeshjet si vendas.

Prej Donetskut u zhvendos në Lviv, përpara se të lëvizte drejt Kharkivit në vitin 2017. Që nga viti 2018, Shakhtari i ka luajtur ndeshjet si vendas në Kiev, por tani as kjo nuk është e mundur pas sulmeve të Rusisë që po shkatërron qytetet ukrainase.

Edhe “Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit Botë 1 muaj më parë “Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit

Në të vërtetë Shakhtari ishte simbol i futbollit ukrainas edhe në garat evropiane. Ka fituar 13 tituj kampioni të Ukrainës dhe vazhdimisht ka qenë pjesëmarrës i fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. Madje në edicionin 2010/11 arriti deri në çerekfinale të kësaj gare, ku u eliminua nga Barcelona. Shakhtari prezantim më të mirë ka pasur në Kupën e UEFA-s, që tani njihet si Liga e Evropës. Dy herë është eliminuar në gjysmëfinale (2015/16 dhe 2019/20), ndërsa në vitin 2009 e pati fituar këtë garë pas fitores ndaj Werder Bremenit (2:1) në finalen e luajtur në Stamboll.

Futbollistët nga Brazili tradicionalisht kanë pasur ndikim të madh në suksesin e Shakhtarit. Për këtë edicion, 13 brazilianë ishin nën kontrata me Shakhtarin. Kontratat tashmë janë pezulluar për shkak të situatës së krijuar. Njëri prej brazilianëve, Junior Moraes, ishte pajisur edhe me pasaportën e Ukrainës dhe ka paraqitje për Përfaqësuesen ukrainase. Dy brazilianë prej ekipit aktual kanë arritur që t’i luajnë ndeshjet në Donetsk – Ismaily dhe Alan Patrick. Mirëpo asnjëri prej tyre më nuk është në Ukrainë. Të gjithë janë larguar javën e shkuar.

Po ashtu është larguar edhe reprezentuesi i Izraelit, Manor Solomon, e trajneri italian, Roberto De Zerbi. Ikja e tyre nga Ukraina ishte dramatike. Pas qëndrimit në bunker në Kiev, ata u larguan me tren për në Bukuresht përpara se të fluturonin me aeroplan drejt Brazilit.

“Udhëtimi me tren ishte i frikshëm sepse u larguam nga Kievi natën kur kishte shumë luftime dhe nuk e dinim nëse do të arrinim deri në stacion. Me tren udhëtuam 16 orë dhe të gjithë i kishim familjet me vete. Imazhet ishin të frikshme, me qytetet e rrënuara nga bombat”, ka thënë Pedrino, që tashmë është në Sao Paulo dhe dëshiron të qëndrojë me familjen e tij. “Nuk dua të mendoj njëherë për futbollin pasi dua të qetësohem. Nuk di asgjë për klubin”.

Ai tha se të gjithë janë të shokuar dhe të traumatizuar me ngjarjet në Ukrainë.

Junior Moraes, pas kthimit në Brazil, ka dhënë një donacion prej 50 mijë eurosh për ushtrinë ukrainase. Donacionet nuk kanë munguar as nga pronari i Shakhtarit, Rinat Akhmetov, që nuk ka dhënë para, por pako ushqimore në vlerë prej 100 mijë eurosh.

Edhe Kvaratskhelia: Mund të fitojmë sërish Futboll 1 muaj më parë Kvaratskhelia: Mund të fitojmë sërish

Klubi ka humbur një trajner të gjeneratave të reja, i cili është vrarë. Prej 23 shkurtit uebfaqja e klubit poston vetëm lajme të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës dhe asgjë tjetër. FIFA tashmë ka dhënë leje që lojtarët e huaj të klubeve ukrainase të transferohen nëpër skuadrat e tjera të Evropës, deri në fund të edicionit.

“Prej Shakhtarit nuk ka ndonjë lajm pasi askush nuk ka mbetur në klub. Të gjithë janë larguar. Ne po shikojmë mundësinë e huazimit të lojtarëve dhe pastaj në fund të edicionit të shohim se çfarë do të ndodhë”, është shprehur Franck Henouda, njëri prej ndërmjetësuesve kryesorë të transferimit të futbollistëve nga Brazili te Shakhtari.