Ata tashmë ishin larguar nga shtëpia e tyre në Ukrainën lindore për në Kiev, kur stadiumi i tyre i ri me shkëlqim u godit nga bombardimet në javët e para të një kryengritjeje të mbështetur nga Rusia në vitin 2014. Tani lojtarët e kampionit shumëvjeçar të futbollit të Ukrainës, Shakhtar Donetskut, po stërviten në Turqi, për shkak të pushtimit të gjithanshëm nga Rusia, shkruan AFP.
Kapiteni i Shakhtarit dhe përfaqësueses së Ukrainës, Andriy Pyatov - një portier 37-vjeçar mbresëlënës, i cili ka luajtur në disa nga stadiumet më të famshme të Evropës gjatë karrierës së tij të shquar - është i lodhur nga jeta në mërgim.
“Është shumë e vështirë të vazhdosh të humbasësh shtëpinë tënde”, tha ai gjatë një pushimi në seancën stërvitore të ekipit në Stamboll për një seri miqësoresh të organizuara për të mbledhur para për fëmijët jetimë nga lufta. “Ne duhet të vrapojmë nga një vend në tjetrin për shkak të një tirani, një diktatori”.
Ecjet e Shakhtarit kanë rrëmbyer imagjinatën e tifozëve në të gjithë Ukrainën dhe pjesën më të madhe të botës së futbollit. Klubi fillimisht e zhvendosi bazën e tij të stërvitjes në kryeqytetin ukrainas - shtëpia e rivalëve të parë, Dinamo Kyivit. Ata përfunduan duke luajtur shumicën e ndeshjeve të tyre në qytetin perëndimor të Lvivit.
Kryeqyteti kulturor i Ukrainës ka tradita të forta nacionaliste dhe një lidhje më të ngushtë historike me Poloninë fqinje sesa me Moskën që është shumë më e largët. Shtëpia origjinale e Shakhtarit në Donetsk u bë bastioni i një lidershipi të ri të mbështetur nga Kremlini në lindjen kryesisht rusisht-folëse të Ukrainës. Ky kontrast e bëri shumë më prekëse mbështetjen dërrmuese që morën lojtarët në Lviv. Suksesi në fushë ndihmoi gjithashtu. Pyatov ka qenë i përfshirë në 10 nga 13 titujt e kampionatit të Shakhtarit.
Edhe
Për Shakhtarin, paraqitja në Champions është detyrim ndaj Ukrainës
Shakhtari ishte lider edhe këtë edicion kur kampionat u pezullua kur filloi sulmi rus më 24 shkurt. Shtëpia më e fundit e Shakhtarit në qytetin verilindor të Kharkivit pati disa nga luftimet më vdekjeprurëse të luftës. Shakhtari mbërriti në Stamboll më 6 prill për t'u përgatitur për një turne të ndeshjeve miqësore që filloi javën e kaluar në Athinë kundër gjigantëve grekë Olympiakosit. Ekipi, gjithashtu luajti me Lechia Gdanskun në Poloni të enjten dhe do të përballet me Fenerbahçen, si dhe Hajdukun e Splitit deri në fillim të majit. Trajneri i skuadrës, Roberto De Zerbi është kthyer nga Italia për të përgatitur lojtarët e tij për turneun.
“Nuk më pëlqen ideja për të hequr dorë tani”, tha ai në lidhje me vendimin e tij për të qëndruar me një ekip të përfshirë në një luftë.
Megjithatë, skuadra aktuale ka pak ngjashmëri me atë që fitoi ndeshjen e fundit të ligës para pushimit dimëror në dhjetor. 13 lojtarët brazilianë të klubit ose janë kthyer në shtëpi ose kanë nënshkruar me skuadra të tjera evropiane. Dhe, dy nga lojtarët vendës kanë vendosur të qëndrojnë prapa në Ukrainë.
Gruaja e mesfushorit Georgiy Sudakov, është gati ta lindë fëmijën e parë të çiftit, ndërsa mbrojtësi Viktor Kornienko i është bashkuar vullnetarëve që përbëjnë njësitë e reja të mbrojtjes territoriale të Ukrainës.
Edhe udhëtimi në Turqi ishte një aventurë. E gjithë skuadra kërkonte leje të posaçme të qeverisë, sepse të gjithë burrave ukrainas të moshës luftarake u është ndaluar të largohen nga vendi për sa kohë zgjatë lufta. Trajneri De Zerbi, e kupton se disa nga lojtarët e tij mund të arrijnë një pikë ku nuk mund të vazhdojnë të luajnë futboll dhe të ndihen të detyruar të marrin armët për të mbrojtur tokën e tyre.
“Nëse ai lufton për liri, për dinjitet, për krenari, për vendin, vetëm do ta përgëzoj”, tha 42-vjeçari italian.
Ndeshja e radhës miqësore është kundër Fenerbahçes të martën dhe do të luhet në të njëjtin stadium të Stambollit, ku Pyatov dhe shokët e tij fituan Kupën UEFA kundër Ëerder Bremenit në vitin 2009.
Stadiumi do të mbushet me kujtime - por jo aq sa “Donbass Arena” i braktisur i klubit në Donetsk.
Edhe
Gara për titull në Ukrainë e Turqi sfidon rrezikun jashtë fushës
Struktura e madhe prej qelqi dhe çeliku u ndërtua për “Euro 2012” që Ukraina bashkorganizoi me Poloninë në një kohë kur një luftë e madhe në Evropë dukej e paimagjinueshme. Por, Pyatov e di se karriera e tij ka të ngjarë të përfundojë shumë më përpara se Shakhtari të ketë një shans për të shkelur përsëri në Donetsk.
“Unë ende ëndërroj për të, si të gjithë lojtarët”, tha ai për të luajtur në shtëpi. “Por, ne e dimë se nuk do të ndodhë brenda natës”.