Pronari i skuadrës së madhe nga Ukraina, Shakhtar Donetsk, Rinat Akhmetov, u zotua të hënën se do të japë 25 milionë dollarë për të ndihmuar familjet e ushtarëve që mbrojtën qytetin e Mariupolit kur ai u sulmua nga ushtria ruse.
Akhmetov njoftoi për dhurimin e këtij fondi një ditë pasi Shakhtari përfundoi një marrëveshje me vlerë deri në 100 milionë euro për të shitur sulmuesin e krahut, Mykhailo Mudryk, te Chelsea.
Klubi ukrainas tha se paratë e premtuara nga Akhmetov nuk vinin nga transferimi i futbollistit. Nga transferimi i Mudrykut, që tashmë është prezantuar te Chelsea, Shakhtari ka marrë 70 milionë euro dëmshpërblim dhe 30 të tjera i ka në formë të bonuseve.
“Paratë do të përdoren për të mbuluar nevoja të ndryshme. Do të shërbejnë për ofrimin e trajtimit mjekësor, si dhe për mbështetje psikologjike deri në përmbushjen e kërkesave specifike”, tha Akhmetov në një deklaratë të publikuar në sajtin zyrtar të Shakhtarit.
Gjatë rënies së Mariupolit luftëtarët që qëndruan për muaj të tërë nën bombardimet e pamëshirshme brenda fabrikës së çelikut “Azovstal” - e cila është në pronësi të Akhmetovit - u bënë simbol i rezistencës ukrainase, në muajt e parë të pushtimit nga Rusia.
Edhe
Shakhtari ka hequr dorë nga trofetë, ndihmon ushtarët e plagosur dhe jetimët e luftës
“Aktet e tyre heroike janë të pakrahasueshme në historinë moderne”, shtoi Akhmetov, i cili lansoi projektin “Heart of Azovstal” (Zemra e Azovstalit).
Prejse Akhmetov u bë president i Shakhtarit në vitin 1996, skuadra nga Ukraina vazhdimisht është paraqitur në garat e Ligës së Kampionëve. Madje, në vitin 2009, Shakhtari triumfoi në Kupën e UEFA-s si dhe ndërtoi stadiumin modern “Donbas Arena”, në të cilin u luajtën disa ndeshje të Kampionatit Evropian 2012.
Shakhtari është dëbuar nga qyteti i Donetskut në vitin 2014 gjatë një konflikti me forcat proruse dhe më pas u largua për shkak të luftës që nga shkurti i vitit të kaluar. Stadiumi është dëmtuar, por nuk është shkatërruar dhe Premier League e Ukrainës po luhet tani në Kiev dhe në perëndim të vendit.
Akhmetov tha se ishte i bindur se Ukraina do të fitonte “luftën e tmerrshme dhe të padrejtë”. Më pas shtoi se “ne do të luajmë një miqësore kundër Chelseat në ‘Donbas Arena’ në Donetsk të Ukrainës”.
Edhe
Shakhtar i Ukrainës sfidon FIFA-n, ia kërkon 42 milionë dollarë
Akhmetov është shumë i lumtur dhe krenar me Mudrykun, që u transferua te Chelsea. 21-vjeçari, sipas presidentit të Shakhtarit, është njëri prej lojtarëve më të mirë të Ukrainës.
“Jam plotësisht i bindur se Mykhaylo do ta pushtojë futbollin në Evropë me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme. Te Chelsea ai do të jetë më i fuqizuar dhe do ta ketë mundësinë të fitojë trofe të ndryshëm evropian”, ka shtuar Akhmetov.