Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Klubi i futbollit që ikën nga lufta

shakhtar donetsk, ukraina, lufta, rusia, futbolli, koha

Në tetë vjetët e fundit gjiganti ukrainas i futbollit, Shakhtar Donetsk, ka qenë i pastrehë duke bërë jetë shtegtuese në shtetin e vet. Që kur nisi pushtimi i Rusisë e ardhmja e klubit nga Donbasi është edhe më e paqartë.

Kur ushtria ruse nisi sulmin mbi Ukrainën më 24 shkurt, mbrojtësi i Shakhtar Donetskut, Mykola Matviyenko, ishte duke fjetur pranë gruas dhe fëmijës së tyre në Kiev.

“Kam dëgjuar eksplodimet jashtë dhe menjëherë jemi zgjuar”, kujton reprezentuesi i Ukrainës. “E kemi kaluar pjesën e mbetur të natës në veturë, derisa morëm mesazhin se Kievi ishte duke u sulmuar dhe na u desh të largoheshim”.

Fundjava e Pashkëve duhej të vinte përballë Shakhtarin me rivalin e madh, Dinamo Kievin. Vetëm dy pikë i ndanin skuadrat në krye të tabelës në Premier Leaguen e Ukrainës kur gara u suspendua për shkak të pushtimit.

Në vend se të rriste avantazhin e pikëve në garën për titull, Shakhtari tani po luan një seri të ndeshjeve miqësore të njohura si “Turi Global për Paqe”, për të mbledhur më shumë para për ushtrinë ukrainase dhe për viktimat e luftës.

Në ndeshjen e parë, në humbjen 1:0 nga lideri i ligës së Greqisë, Olympiacosi, Matviyenko dhe shokët e tij të skuadrës hynë në fushë duke mbajtur veshur fanella me emra të qyteteve që u dogjën gjatë sulmeve ruse: Mariupol, Irpin, Hostomel dhe Mykolaiv, në mesin e të tjerave.

“Duam që emrat e këtyre vendeve të jenë të njohura nëpër botë”, ka thënë bashkëlojtari i tij, Anatoliy Trubin për DW. “Ende nuk mund ta kuptoj si mund të ketë luftë në shekullin XXI, në të cilin njerëzit vdesin çdo ditë, në shtetin që e dua dhe ku u rrita”.

Turi vazhdoi me tjetër disfatë, 1:0 nga Fenerbahçe në Stamboll të martën, ndërsa ndeshjet kundër Hajdukut të Splitit në Kroaci dhe Lechia Gdanskit në Poloni do të luhen në vijim.

Por Matviyenko dhe portieri Trubin janë mësuar të jenë në rrugë. Shakhtari, njësoj si rivali lokal Zorya Luhansk, ka luajtur jashtë shtëpisë që kur lufta nisi në rajonin lindor të Donbasit, në vitin 2014.

“Më janë ndryshuar ëndrrat”

“Isha vetëm 17-vjeçar dhe vetëm sa isha kthyer nga pushimet verore”, kujton Matviyenko. “Ditën tjetër stacioni i trenit thuajse ishte zhdukur dhe ne u evakuuam në një qytet tjetër”.

Por stacioni nuk ishte objektivi i vetëm.

Stadiumi i Shakhtarit, Donbas Arena, i financuar me176 milionë euro nga oligarku ukrainas dhe presidenti i Shakhtarit, Rinat Akhmetov, u hap në vitin 2009, në prani të ish-presidentit Viktor Yushchenko dhe këngëtares, Beyonce. Ishte stadium i kategorisë me pesë yje i UEFA-s në “Euro 2012”, dhe akomodoi 40 mijë tifozë në edicionin 2012/13.

Stadiumi u dëmtua nga bombardimet kur filloi lufta në vitin 2014, ashtu siç u dëmtua Aeroporti Ndërkombëtar i Donetskut, që u bë skenë e dy betejave të mëdha ndërmjet trupave të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Kremlini rus.

Shakhtari lëvizi në perëndim duke luajtur në praninë e 7 mijë tifozëve fillimisht në Lviv e më pas në Kharkiv. Dhe që nga viti 2018 luajti në Kiev, ku lojtarët tashmë jetonin dhe stërviteshin. Por nuk ishte në shtëpi.

“Kam shkuar në Donbas Arena si tinejxher dhe ka qenë ëndërr në fakt të luaj në atë stadium të mrekullueshëm”, ka thënë Matviyenko. “Ne të gjithë besojmë se do të luajmë futboll aty sërish një ditë”.

“Ëndrrat e mia kanë ndryshuar”, ka thënë Trubin. “Unë vetëm dua të rikthehet paqja në Ukrainë. Dhe më pas dua të luaj në Ligën e Kampionëve me Shakhtarin, në stadium të mbushur, në Donbas Arena”.

Njeriu prapa Shakhtarit: Rinat Akhmetov

Pavarësisht sfidave, Shakhtar Donetsku ka shijuar sukses të konsiderueshëm në fushë, përfshirë 13 tituj të ligës së Ukrainës. Është i dyti pas Dinamo Kievit që ka 20 në total.

Në vitin 2020, “Minatorët” shtegtues – të emëruar kështu për shkak të depozitave të pasura të qymyrit në rajonin e Donbasit – shkuan në gjysmëfinale të Ligës së Evropës, garë të cilën e fituan në vitin 2009 kur e mposhtën Werder Bremenin në finale, për t’u kurorëzuar me triumfin më të madh evropian të klubit.

Sukseset e mëdha janë si rezultat i një njeriu: pronarit Rinat Akhmetov, ish-boksier profesionist dhe një nga njerëzit më të pasur në Ukrainë, me pasuri të vlerësuar rreth 7 miliardë euro. Ai e mori klubin në vitin 1996. Që nga ajo kohë Akhmetov ka investuar 1.5 miliardë euro në klub dhe e ruajti Shakhtarin nga bankrotimi. E ktheu në një prej klubeve elitare të Evropës.

Nën drejtimin e Akhmetovit, Shakhtari njihet me lojtarët brazilianë, ndërsa ka shpenzuar afro 300 milionë euro në lojtarë si Fernandinho (tani te Manchester City), Fred (tani te Manchester United) dhe Douglas Costa (i cili më vonë luajti për Bayern Munichun dhe Juventusin).

“Nuk do të luajmë më kundër skuadrave ruse”

Që prej pushtimit rus 13 brazilianë, aktualisht nën kontratë me Shakhtarin, ia arritën të largohen nga shteti pasi i kaluan rreth dy javë duke u fshehur në bazamentin e një hoteli në Kiev, me familjet e tyre. Lufta ka ndryshuar çdo gjë.

“Një nga anëtarët tanë të stafit, një trajner i ri, vdiq dje”, njoftoi shefi ekzekutiv Serhiy Palkin, të enjten e kaluar. “Ai u vra nga një predhë ruse. Rusia është duke i vrarë ukrainasit. Ndaleni këtë marrëzi!”.

Përveç luftës, vdekjes dhe shkatërrimit, Shakhtari pritet të përballet me çështje të tjera sapo paqja të rivendoset dhe të vazhdojë futbolli.

Në fillim të muajit mars FIFA i lejoi lojtarët e huaj në Ukrainë dhe Rusi që t’i pezullojnë kontratat e tyre dhe t’iu bashkohen klubeve të reja për sezonin aktual. Është e paqartë nëse Shakhtari do të ketë skuadër të plotë për kampanjën e ardhshme.

Megjithatë, një gjë është e sigurt: “Jo, ne nuk do të luajmë më kundër skuadrave ruse”, ka thënë Matviyenko. “Bota duhet ta kuptojë se ky është gjenocid. Këta njerëz duhet të izolohen”.

Artikuj të ngjashëm