Pritja e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve në Poloni dhe planifikimi i një turneu humanitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihen si hapat e natyrshëm të ardhshëm për skuadrën më të mirë të futbollit të Ukrainës pas tetë vjetësh të mërguar nga qyteti i saj si pasojë e agresionit rus. Historia e Shakhtar Donetskut – duke luajtur vetëm ndeshje në udhëtim qëkur filloi konflikti në rajonin e Donbasit në vitin 2014 dhe pushtimi i plotë nga Rusia mbylli futbollin ukrainas këtë vit – mund të jetë unike në futbollin botëror.
Drejtori sportiv i Shakhtarit, Darijo Srna tha se klubi i tij ishte “i vetmi në historinë e futbollit” që kishte duruar teste të tilla. Në pamundësi për të përdorur stadiumin e tij yjor prej 400 milionë dollarësh që nga viti 2014, i detyruar të jetojë dhe të luajë në qytetet e adoptuara në të gjithë Ukrainën, Shakhtar tani nuk ka pasur ndeshje zyrtare që nga dhjetori i vitit të shkuar për shkak të pushtimit rus. Megjithatë, Srna po punon rreth pasigurisë mbi listën e klubit për të planifikuar një sezon të ri në Ligën e Kampionëve dhe rifillimin e Premier League të Ukrainës.
“Ata sulmojnë vendin tonë, tokën tonë,” tha Srna, një ish-kapiten i Shakhtarit, fanella e të cilit me numrin 33 u tërhoq nga klubi. “Por në fund ne jemi ende këtu, ne jemi ende gjallë”.
Liga vendëse që u braktis sezonin e kaluar - Rusia pushtoi Ukrainën një ditë para përfundimit të pushimit të sezonit dimëror - do të rifillojë në gusht. Fillimi i Ligës së Kampionëve është më 6 shtator, pasi një ndalim i UEFA-s për ekipet ruse e hoqi Zenitin e Shën Petersburgut dhe ndihmoi në ngritjen e Shakhtarit direkt në elitën e 32 skuadrave. Klubet ruse kanë apeluar ndaj vendimit të UEFA-s.
“Ne do të luajmë në fazën e grupeve të Championsit, ndërsa ata nuk do të luajnë në asnjë garë evropiane”, tha Srna, duke iu referuar klubeve ruse. “Ata mund ta shikojnë në televizor”.
Edhe
Për Shakhtarin, paraqitja në Champions është detyrim ndaj Ukrainës
Të shihesh në mbarë botën është një “fitore e vogël por e rëndësishme për futbollin ukrainas dhe evropian”, tha ai për Shakhtarin, ekip që priti Real Madridin, Interin dhe Sherifin Tiraspolin në Kiev sezonin e kaluar në Champions.
Megjithatë, zhvillimi i ndeshjeve ndërkombëtare në Ukrainë është tani një rrezik i papranueshëm për sigurinë, kështu që Shakhtari po bisedon me Legia Varshavën për organizimin e tri ndeshjeve që i ka si vendës në kuadër të Championsit.
“Minimumi që mund t'i japim Polonisë është futbolli i Ligës së Kampionëve”, shtoi Srna. “Ata hapën derën e vendit për popullin ukrainas, ata hapën zemrat e tyre dhe e meritojnë këtë”.
Skuadra do të duket si Shakhtari me uniformë të veçantë portokalli dhe të zezë, por me më shumë lojtarë të panjohur për shikuesit, të cilët janë mësuar të shohin yje nga Brazili si Fernandinho, Willian dhe Douglas Costa gjatë dy dekadave të fundit.
“Nuk e dimë ende se me cilin lloj skuadre do të luajmë, sepse pak a shumë, ne shesim ose japim huazim lojtarët e huaj për të gjitha ekipet”, tha Srna nga Londra, duke u ankuar se “agjentët duan t'i marrin lojtarët tanë falas. Ata nuk e respektojnë situatën sot”.
E ardhmja për Shakhtarin është “pak a shumë një ekip ukrainas me lojtarë të rinj dhe të uritur për të dalë në skenë”.
Pavarësisht më shumë se 100 paraqitjeve për Kroacinë, Srna flet për Donetskun, një qendër industriale të Ukrainës si për shtëpinë e tij pas 15 vitesh dhe më shumë se 500 ndeshjesh si lojtar i Shakhtarit deri në vitin 2018. Ai fitoi 10 tituj kampioni të Ukrainës dhe ngriti trofeun e vetëm evropian të Shakhtarin, Kupën e UEFA-s në vitin 2009. Besnikëria e Srnas është e lidhur me një marrëdhënie të veçantë me presidentin miliarder të Shakhtarit, Rinat Akhmetovin. Ai zotëron gjithashtu fabrikën e çelikut “Azovstal” në Mariupol që është simbol i kundërshtimit të Ukrainës dhe bombardimeve ruse. Paratë e Akhmetov ndërtuan stadiumin “Donbass Arena”, i cili ishte çelësi që Ukraina të bashkorganizonte Kampionatin Evropian të vitit 2012. Tani, stadiumi është lënë pas dore, por nuk është shkatërruar, tha Srna, gjatë pushtimit rus.
“Ai është çelësi i këtij suksesi të Shakhtarit”, tha Srna për Akhmetovin. “Ai është njeriu, personi që nuk dorëzohet kurrë. Në momente të vështira ju duhet të ndihmoni njerëzit e tjerë”.
Edhe
Shakhtari ka hequr dorë nga trofetë, ndihmon ushtarët e plagosur dhe jetimët e luftës
Akhmetov këtë javë premtoi 2 milionë dollarë për të ndihmuar rifillimin e futbollit ukrainas. Një nivel i lartë me 16 ekipe duhet të përfshijë dy ekipe të promovuara nga divizioni i dytë për të zëvendësuar Mariupolin dhe Chornomorets Odesan, tha Srna. Liga synon t’i luajë të gjitha ndeshjet në tokën e Ukrainës, megjithëse Shakhtari do të përgatitet muajin e ardhshëm në kampet stërvitore në Holandë dhe Slloveni. Pas turneut në Evropë në muajin prill për të luajtur ndeshje për mbledhjen e fondeve për përpjekjet ushtarake, Shakhtarit i mbaroi koha për të organizuar një udhëtim të ngjashëm në SHBA. Një turne në dhjetor është një opsion i mundur, zbuloi Srna.
“Gjëja më e rëndësishme është që të luajmë për t’i treguar botës se ne jemi ende gjallë, se po luftojmë, se po jetojmë dhe se do të kemi një të ardhme të mirë”, insistoi Srna.