Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Shakhtari përfiton në Ligën e Kampionëve pas eliminimit të Villarrealit

Shakhtar Donetsku po shkon direkt në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, pasi Villarreali u eliminua në gjysmëfinale të kësaj gare të martën. Në mesin e trazirave në futbollin ukrainas, ky kualifikim mund t’ia garantojë Shakhtarit shpërblimin e dhjetëra miliona eurove nga Liga e Kampionëve - ekip ky që është duke zhvilluar ndeshje bamirësie pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Humbja e Villarrealit me rezultatin e përgjithshëm 5:2 nga Liverpooli ka bërë që titulli në Spanjë të fitohet nga një skuadër që tashmë është kualifikuar në Champions sezonin tjetër, Real Madridi. Reali të mërkurën mbrëma e synon finalen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt.

Hyrjen në sezonin e ardhshëm të garës, UEFA e ruan për kampionin në fuqi dhe kjo tani mund të kalojë te liga me renditjen më të mirë, e cila nuk e ka ende një vend që dërgon direkt në fazën e grupeve, e cila nis në muajin shtator. Ukraina është e renditur në vendin e 12-të dhe klubi më i mirë është Shakhtari, i cili ishte vendosur të hyjë në raundin e plejofit në muajin gusht. Shakhtari ishte në krye të renditjes së Premier Leagues në Ukrainë kur sezoni u anulua muajin e kaluar, ndërsa titulli nuk i takoi askujt.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, një ditë para se liga të rikthehej nga pushimi dimëror. UEFA do ta konfirmojë edhe zyrtarisht hyrjen e Ukrainës në garat evropiane brenda disa javëve. Sigurimi financiar i ofruar nga Liga e Kampionëve mund ta ndihmojë Shakhtarin të gjejë stabilitet, në mes paqartësive të futbollit ukrainas. Ende është e paqartë se sa lojtarë, sidomos të huaj, do të mund t’i mbajë e nënshkruajë për sezonin tjetër ose ku skuadra do të stërvitet apo të luajë. Shakhtari, megjithatë, ka luajtur pa siguri dhe në lëvizje për tetë vjet. Ekipi nuk ka luajtur prej vitit 2014 në Donetsk kur u detyrua të largohej nga regjioni i lindjes së Ukrainës pas konfliktit të përkrahur nga Rusia. E Ukraina, tani, është vend i luftërave të mëdha, pasi është futur në muajin e tretë të luftës.

Pasi luajti në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në edicionin 2019/20, Shakhtari fitoi 43.1 milionë euro nga çmimi financiar i UEFA-s dhe të drejtat televizive. Në të njëjtin sezon, Dynamo Kievi pranoi 7.5 milionë euro pasi luajti në rangun e dytë, në Ligën e Evropës. Dynamo ishte në vendin e dytë në renditje kur u anulua liga ukrainase dhe në korrik do të nisë nga rundi i dytë kualifikues i Ligës së Kampionëve. Dynamo, që po ashtu po luan ndeshje bamirëse, duhet t’i eliminojë tre kundërshtarë për të arritur në fazën e grupeve. UEFA i largoi klubet ruse nga garat evropiane edhe për sezonin e ardhshëm për shkak të luftës dhe kjo e ka ndihmuar Shakhtarin të ngritët.

Vendi i kampionit rus, Zenit St. Petersburgut në fazën e grupeve, këtë javë iu dha Skocisë, duke bërë që Ukraina të ishte në radhë nëse Villarreali nuk e do të triumfonte në Ligën e Kampionëve. Zeniti mund t’i bashkohet apelit të Federatës së Futbollit të Rusisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) kundër UEFA-s dhe FIFA-s, të cilat përjashtuan përfaqësueset dhe klubet nga garat ndërkombëtare. Rusia veçse i ka humbur vendimet e përkohshme të CAS-it në apelet e muajit mars.