Klubi i futbollit nga Ukraina, Shakhtar Donetsku, do të luajë një seri ndeshjes bamirësie në një turne me emrin “Global Tour for Peace” të mbështetur nga Qeveria, që do të mbledhë para për ushtrinë e vendit në luftën kundër Rusisë.
Skuadra e varfëruar e Donetskut është mbledhur në Turqi për t'u përgatitur për ndeshjen hapëse të së shtunës kundër liderit të ligës së Greqisë, Olympiacosit. Ndeshjet e këtij turneu do të shërbejnë për të mbledhur para për refugjatët ukrainas të zhvendosur nga lufta.
“Diplomacia e futbollit do të na ndihmojë të përfshijmë miliona tifozë anembanë botës për të ndihmuar Ukrainën, gjë që është vërtet e rëndësishme”, tha të premten ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba. “Me këtë turne bamirësie ne do të vazhdojmë të tërheqim vëmendjen e botës ndaj agresionit rus kundër Ukrainës dhe të mbledhim më shumë fonde për ushtrinë ukrainase”.
Shakhtari do të luajë gjithashtu me Fenerbahçen, Hajdukun e Splitit dhe Lechia Gdanskun, si dhe me kundërshtarë të tjerë që ende nuk janë konfirmuar. Klubet e futbollit në të gjithë Evropën kanë ofruar të luajnë ndeshje kundër klubeve nga Ukraina, si dhe kanë hapur dyert për të pritur lojtarë të rinj ukrainas, pasi futbolli në vend u ndal kur Rusia pushtoi vendlindjen e tyre në muajin shkurt.
Skuadra e Olympiacosit tashmë e ka reklamuar ndeshjen kundër Shakhtarit, si “Futboll për Paqe – Ndaloni luftën në Ukrainë”. Biletat për ndeshjen që do të luhet në stadiumin e Olympiacosit kushtojnë 10 euro.
“Kjo është ndeshja e parë e serisë së ndeshjeve miqësore mes ekipit nga Ukraina dhe top skuadrave nga Evropa dhe SHBA-ja”, thuhej ndër të tjera në njoftimin e Olympiacosit për ndeshjen që nis në orën 20:00.
Shakhtari nuk ka luajtur ndeshje zyrtare që nga mesi i muajit dhjetor. Më 26 shkurt drejtuesit e ligës kishin planifikuar të rifillonin edicionin pas pushimit dimëror. Por dy ditë para ndeshjes së Shakhtarit në udhëtim te Metalist Kharkivi, Rusia nisi pushtimin ushtarak dhe futbolli ukrainas u ndal. Shakhtari zakonisht ofron disa lojtarë për Përfaqësuesen e Ukrainës, e cila nuk ishte në gjendje të luante ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për Kampionatin Botëror “Katari 2022” kundër Skocisë, dy javë më parë. FIFA dëshiron ta organizojë atë ndeshje në Glasgow në fillim të qershorit. Fituesi do të luajë me Uellsin disa ditë më vonë për një vend në Kupën e Botës së këtij viti në Katar.
Edhe
Shakhtari ka hequr dorë nga trofetë, ndihmon ushtarët e plagosur dhe jetimët e luftës
FIFA gjithashtu e hoqi Rusinë nga plejofi për shkak të luftës ndaj Ukrainës dhe e suspendoi nga garat ndërkombëtare.
Shakhtari është mbështetur te një bazë e lojtarëve brazilianë për të fituar 13 tituj të kampionit në Ukrainë gjatë dy dekadave të fundit dhe për t'u bërë pjesëmarrës i rregullt në Ligën e Kampionëve. Në dhjetor, Shakhtari përfundoi i fundit në grup të Ligës së Kampionëve që përfshinte Real Madridin dhe Interin. Gjatë luftës në Ukrainë, FIFA ndryshoi rregullat e transferimit për të lejuar lojtarët e huaj të klubeve ukrainase të nënshkruanin kontrata diku tjetër. Shakhtari huazoi brazilianin Tete te Lyoni, ndërsa Junior Moraes, i cili mori nënshtetësinë dhe luajti për Ukrainën, shkoi në Brazil për të luajtur për Corinthiansin.
Sukseset e Shakhtarit kanë vazhduar përkundër që ishte detyruar të largohej nga qyteti i Donetskut në vitin 2014 për shkak se separatistët prorus morën kontrollin e disa pjesëve në lindje të Ukrainës. Që nga ajo kohë Shakhtari ka luajtur në Kharkiv dhe pastaj është zhvendosur në Kiev në vitet e fundit. I njohur me nofkën “Minatorët”, klubi është në pronësi të miliarderit Rinat Akhmetov dhe është bërë simbol i regjionit prej nga vjen. Stadiumi “Donbass Arena” në të cilin i luante dikur ndeshjet, ka mirëpritur duele të Kampionatit Evropian të vitit 2012. Klubi tha se prej fillimit të luftës e deri më tani ka dhënë hiq më pak se 48 milionë dollarë për “ndihmë humanitare për civilët si dhe ndihmë për Forcat e Armatosura të Ukrainës dhe Forcat e Mbrojtjes Territoriale në dhjetëra qytete dhe qyteza”.