Harrojeni për një moment Manchester Cityn dhe Barcelonën dhe merrni parasysh ligat e futbollit të Ukrainës dhe Turqisë. Të dyja, disi çuditërisht, është vendosur të përfundojnë në javët e ardhshme, pavarësisht luftës dhe fatkeqësisë, dhe të dyja kanë ndeshje të mëdha këtë muaj që mund të vendosin titujt.
I gjithë edicioni i ligës ukrainase është zhvilluar në stadiume pothuajse të zbrazëta në pjesën më të sigurt perëndimore të vendit, pavarësisht kërcënimit të vazhdueshëm të ndërprerjes nga sirenat që paralajmërojnë sulmet ajrore ruse. Në njëfarë mënyre liga është vetëm një ndeshje prapa programit. Dhe skuadra e vendit të dytë, Dnipro-1, mund ta përdorë atë duel për të zvogëluar diferencën në tabelë me kampionin e zakonshëm Shakhtar Donetsk në vetëm dy pikë. Shakhtari është planifikuar të presë Dnipro-1 në fund të muajit në Lviv, larg Ukrainës lindore të shkatërruar nga lufta.
“Është pak më e lehtë sesa ishte në fillim”, tha zyrtari i Shakhtarit, Yuriy Svyrydov. “Janë pothuajse ndeshje futbolli si zakonisht tani, por emocionalisht ne jemi si një limon i shtrydhur”.
Cilësia e ndeshjeve ka rënë, tha Svyrydov, pasi lojtarët e huaj u lejuan nga FIFA të pezullonin kontratat e tyre dhe të kërkonin lëvizje huazimi në klube të vendeve tjera. Skuadra e vendit të katërt, Dynamo Kyivi, është në rënie pavarësisht se trajneri Mircea Lucescu ka qëndruar në krye të ekipit. Trajneri i Shakhtarit vitin e kaluar, italiani Roberto de Zerbi, u largua kur filloi lufta në Ukrainë dhe ka shkëlqyer qëkur mori drejtimin e Brightonit në Premier League.
Marrëveshja e transmetimit ndërkombëtar të ligës skadon muajin e ardhshëm, menjëherë pas duelit të mundshëm për titullin që mund ta dërgojë fituesin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Liga turke, me rivalët tradicionalë Galatasarayn dhe Fenerbahçen në krye të renditjes, u ndal për tri javë pas një tërmeti shkatërrues në muajin shkurt. Dy nga 19 skuadrat nuk i rifilluan garat.
Galatasaray, i udhëhequr nga golat e ish-lojtarëve të Serie A, Mauro Icardi dhe Dries Mertens, kryeson ligën me tri pikë me shumë se Fenerbahçe dhe ende ka një ndeshje derbi për ta luajtur. Në fillim të muajit të ardhshëm, Galatasaray përballet me Fenerbaçen në kuadër të xhiros së 37-të. Një titull kampioni për Galatan ose Fenerin do të thotë se liga ka katër fitues të ndryshëm në katër vjet. Një tjetër klub nga Stambolli, Beshiktashi, është afër në vendin e tretë dhe në pritje të gabimit të Galatasarayt apo Fenerbahçes.
Në anën tjetër të renditjes, Gaziantepi dhe Hatayspori nuk rifilluan garat pas tërmetit, por janë mbrojtur nga rënia në një kategori më poshtë prej Federatës së Futbollit të Turqisë.
Garë e ashpër për titull po zhvillohet edhe në Belgjikë e Greqi. Në Greqi, Panathinaikosi ka pikë të barabarta me AEK-un në krye të tabelës dhe dyja ekipet kanë edhe nga dy ndeshje për t’i zhvilluar në kuadër të plejofit. Panathinaikosi, i cili nuk e ka fituar titullin prej vitit 2010, ka epërsinë në përballjet direkte ndaj AEK-ut, ndërsa të dielën luan ndaj Olympiacosit.
Edhe Belgjika po luan plejofin dhe tri prej katër ekipeve – Genku, Antwerpi e Union St. Gillosie – janë në garë për t’u shpallur kampion.
Sparta e Pragës nis plejofin me pesë ekipe në Çeki, me pesë pikë para Slavias. Sparta, e cila ka fituar titullin para nëntë vjetësh, e pret Slavian në derbin e qytet të Pragës më 13 maj.