Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zeneli e Sahiti të etur për sukses me Kosovën

Arber Zeneli

Ka kaluar gati një vit prej se Arbër Zeneli luajti ndeshjen e fundit për Përfaqësuesen e Kosovës. Një vit pa luajtur për “Dardanët” për sulmuesin e krahut është i madh. Mungesa e Zenelit në fushë ka qenë e madhe edhe për Kosovën. Por Zeneli pret ta ndihmojë Kosovën në katër ndeshjet e grupit të dytë të Ligës C të Ligës së Kombeve, garë në të cilën në edicionin e parë pati shkëlqyer. Më pas u përball me lëndime të shpeshta dhe paraqitjet me Kosovën dhe ekipin e tij Reims ishin të rralla. Zeneli ndihet mirë dhe pret ta ndihmojë Kosovën ta përsëritë suksesin e edicionit të parë të Ligës së Kombeve – ta fitojë grupin. Kosova është pjesë e grupit të dytë të Ligës C së bashku me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe Qipron. Me këtë të fundit do të përballet më 2 qershor në Laranca.

“Jam kthyer në shkurt, pastaj pata rastin të vij në mars por u lëndova sërish, ndërsa tani jam shumë mirë”, ka thënë Zeneli në prag të ndeshjes me Qipron.

Zeneli për “Dardanët” që prej vitit 2016 ka shënuar nëntë gola në 27 paraqitje. Prej nëntë golave, katër i ka shënuar në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, në grupin 3 të Ligës D. Ai shpreson në një edicion tjetër të suksesshëm në Ligën e Kombeve.

“Mund të presim ndeshje shumë të mirë. Më kanë munguar shumë paraqitjet me Kosovën. Për Kosovën duhet ta japim maksimumin të gjithë. Duhet të mos e kursejmë veten për shtetin tonë, shikuesit që vijnë dhe gjithë shqiptarët që janë gjithandej. Jam në formë të mirë, por çdo minutë më shumë për mua është e rëndësishme”, është shprehur Zeneli.

Pas ndeshjes me Qipron, Kosova në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë e pret Greqinë. Greqia nuk është kundërshtare e panjohur për Kosovën. Është përballur tashmë katër herë. Dy herë në kuadër të Ligës së Kombeve dhe dy herë në kualifikimet për Botërorin “Katari 2022”. Tri ndeshje kanë përfunduar baras dhe një ndeshje e ka fituar Greqia. Fitoren e arriti në Prishtinë. Por, Zeneli pret ndihmën e shikuesve në përballjen me Greqinë.

“Shpresoj ta nisim me fitore ndaj Qipros në ndeshjen e parë e pastaj ndaj Greqisë ta kemi stadiumin e mbushur me shikues. Pres ndihmën e shikuesve kundër Greqisë dhe të vazhdojmë me rezultate pozitive”, ka theksuar Zeneli.

Edhe futbollisti i Hajdukut të Splitit, Emir Sahiti, pret ndihmën e publikut në përballjen e dytë, atë kundër Greqisë. Sahiti grumbullohet për herë të parë me Kosovën, ndërsa shpreson në fitore edhe në ndeshjen e parë ndaj Qipros.

“Është ndjenjë e mirë ta përfaqësoj Kosovën. Është grumbullimi im i parë dhe do të mundohem ta jap maksimumin. Shihet që ka cilësi në ekipin e Kosovës. Kemi bërë katër ditë stërvitje së bashku dhe po ndihemi mirë pas sezoneve të mira që kemi pasur me skuadrat tona. Shpresojmë në fitore ndaj kundërshtarëve tanë. Me Hajdukun fituam Kupën dhe jam grumbulluar te Kosova me një motiv të madh. Shpresoj ta ndihmoj Kosovën. Tifozët tanë janë lojtari i 12-të për ne dhe besoj se do të kemi përkrahje të madhe e neve na mbetet t’ua kthejmë me fitore”, ka thënë Sahiti.

Në Prishtinë, Kosova pas Greqisë e pret më 9 qershor edhe Irlandën e Veriut, derisa tri ditë më vonë në Volos luan kundër Greqisë. Dy ndeshjet e fundit i luan në shtator. Më 24 shtator luan në udhëtim ndaj Irlandës së Veriut, derisa e pret Qipron më 27 shtator. Nëse përfundon e para në grup, Kosova në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve do të garonte në Ligën B, pra në nivelin e dytë. Nëse mbetet e fundit, rrezikon të bjerë në Ligën D, pra në nivelin e fundit, të katërt.

Artikuj të ngjashëm