Futboll

Zeneli kthehet në stërvitje

Arber Zeneli

Arbër Zeneli është kthyer në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës së Elfsborgut, ka njoftuar të mërkurën klubi suedez. 

Zeneli ka munguar për kohë të gjatë për shkak të një lëndimi dhe iu nënshtrua rehabilitimit të gjatë. 
30-vjeçari nuk ka luajtur që nga 23 janari. 

“Është kënaqësi shumë e madhe të jem përsëri në stërvitje me djemtë. Ka qenë rehabilitim i gjatë, por tani jam kthyer dhe është gjë e mirë. Kam marrë pjesë në stërvitje, kam stërvitur me top. Ishte kënaqësi”, ka deklaruar ish-reprezentuesi i Kosovës në intervistën për faqen e klubit. 

Zeneli edhe në të kaluarën ka pasur lëndime serioze që e kanë frenuar shumë karrierën e tij. 

“Kam pasur shumë lëndime në karrierë dhe ka qenë shumë e vështirë sepse gjithmonë ka pasur pikëpyetje se kur do të kthehem. Por më në fund kam nisur të ndihem mirë. Dëshiroj që të luaj dhe ta ndihmoj ekipin. Por përkrahjen e kam dhënë nga tribunat dhe lojtarët kanë zhvilluar ndeshje të mira. Por unë dua që të jem pjesë e ekipit dhe të luaj”, theksoi Zeneli. 

Zeneki tek Elfsborgu luan me vëllain e vogël, Besfortin. 

Besfort Zeneli po paraqitet me plot sukses te skuadra elitare suedeze. Besforti luan si mesfushor, ndërsa është 22-vjeçar. Ai ka luajtur për grupmoshën U21 të Kosovës në gjashtë ndeshje, ndërsa më pas vendosi ta përfaqësojë Suedinë. Me ekipin A të Suedisë i ka dy paraqitje. 

Besfort Zeneli në këtë edicion të “Allsvenskan” i ka 11 paraqitje, ndërsa ka kontribuuar me një gol e katër asistime. 

Për formën e tij, i kënaqur është vëllai i madh, Arbëri. 

“E kemi parë edhe vitin e kaluar se çfarë është në gjendje të bëj. Ai po bën hapa para çdo ditë dhe këtë po e shijon vazhdimisht”, ka deklaruar Arbër Zeneli. 

Arbër Zeneli kishte përfaqësuar grupmoshat e reja të Suedisë, ndërsa më 6 tetor të vitit 2016, kishte debutuar me Kosovën. 

Me “Dardanët” ka luajtur 33 ndeshje dhe ka nëntë gola të shënuar.