Ka qenë një periudhë e vështirë si për Elfsborgun ashtu edhe për Arbër Zenelin.
Elfsborgu të dielën i dha fund serisë prej shtatë ndeshjesh pa fitore. Kishte katër barazime dhe tri humbje në kampionatin e Suedisë.
Zeneli ishte në stol në dy humbjet e fundit, por ndaj Malmos luajti titullar dhe shkëlqeu me gol dhe asistim.
Elfsborgu e fitoi derbin me rezultatin 2:1, ndërsa Zeneli është i lumtur për kontributin e tij.
“Ishte mirë që pata mundësinë të kontribuoja. Të gjithë lojtarët janë të frustruar kur nuk kanë mundësi të luajnë. Unë jam profesionist dhe përpiqem ta ndihmoj ekipin kur hyj në fushë. Sot pata mundësinë dhe shpresoj se kam treguar aftësitë e mia dhe do të vazhdoj të luajë në të ardhmen”, ka thënë Zeneli.
Elfsborgu nga 15 ndeshje ka fituar 21 pikë. Zeneli ka katër gola e dy asistime deri më tani në elitën e futbollit suedez.