Tifozët më pasionantë të Kosovës vështirë se i kanë harruar golat e bukur të Arbër Zenelit. Vetë sulmuesi i krahut i kujton me shumë dëshirë.
“Ndeshja me Azerbajxhanin është prej momenteve që emocionohem kur e kujtoj. Stadiumi ka qenë i stërmbushur dhe të gjithë në Kombëtare kemi qenë gati për një qëllim, që ta fitojmë atë grup”, ka thënë Arbër Zeneli për KOHËN të dielën.
Tani 30-vjeçar, Zeneli kishte shënuar “hat-trick” në fitoren 4:0 ndaj Azerbajxhanit, në nëntor të vitit 2018.
Me fitore, Kosova kishte siguruar kalimin një rang më lart, në Ligën C të Ligës së Kombeve. Ai ishte lojtari i pari që realizoi hat-trick për Kosovën.
Golin e parë e kishte shënuar me goditje me këmbën e djathtë, duke dërguar topin në cepin tjetër të portës. Ngjashëm i kishte shënuar edhe dy golat e tjerë. Depërtimet nga krahu i majtë dhe gjuajtjet me këmbën e djathtë, kanë qenë të shpeshta nga Zeneli te Kosova.
Ai është i treti në listën e golashënuesve të Kosovës me nëntë gola në 33 ndeshje. Listës i prin bindshëm Vedat Muriqi me 32 gola, ndërsa i dyti me 12 gola është Milot Rashica.
Muriqi e Rashica janë grumbulluar rregullisht te Kosova, ndërsa Zeneli ndeshjen e fundit e ka më 28 mars të vitit 2023. Ai megjithatë mund të kthehet sërish të luajë për Kosovën.
Tashmë ka sinjale pozitive pas takimit që Arbër Zeneli pati me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Biseda me kryetarin e FFK-së, sipas Arbërit, ka qenë e mirë.
“Kemi pasur bisedë të mirë”, thotë ai.
Përkrahësit e përfaqësueses e kanë pritur mirë takimin e Ademit me Zenelin. Shumë presin që ai të kthehet në përfaqësuese.
Edhe vetë Zeneli mezi pret ftesën.
“Të shohim a do të kem ftesë për muajin tjetër. Unë jam i gatshëm”.
Zeneli i ishte bashkuar Kosovës në vitin 2016. Para se t’i bashkohej Kosovës ishte pjesë e U21 të Suedisë. Ka disa vjet që luan për Elfsborgun në Suedi.
Zeneli ishte lënduar në gjurin e këmbës së djathtë në të vitit 2019 në ndeshjen eliminatore për “Euro 2020” ndaj Malit të Zi.
Para lëndimit, me golat e tij fitoi zemrat e shumë tifozëve të Kosovës. Ai ishte prej më të mirëve, por më pas pësoi rënie të madhe në karrierë.
Thotë se ka pasur momente të mira me fanellën e “Dardanëve”.
“Normalisht se Kosova më ka munguar shumë. Aty kam pasur momente shumë të mira dhe shpresoj që do të më vijë rasti të luaj sërish”, thotë Zeneli.
Ai së fundi ishte ftuar te Kosova për ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2024. Në barazimin ndaj Zvicrës ishte në bankën e rezervistëve.
Kosova e ka sërish Zvicrën në grup. Në grup e ka edhe Suedinë, shtetin ku Arbëri është zhvilluar si lojtar.
“I kam shikuar ndeshjet e këtij muaji. Ndeshja me Zvicrën nuk ishte e mirë dhe besoj që të gjithë lojtarët e kanë pasur këtë ndjenjë. Me Suedinë e kemi treguar se jemi ekip i fortë dhe se të gjithë lojtarët kanë besim në kualitetet e tyre. Nëse jemi të bashkuar, gjithçka është e mundshme”, thotë Arbër Zeneli.
“Dardanët” muajin tjetër e presin Slloveninë në Prishtinë, ndërsa luajnë në Goteborg kundër Suedisë.
“Janë dy ekipe shumë të forta dhe besoj që do të jenë dy ndeshje të vështira, por ne si Kombëtare duhet ta bëjmë punën tonë”.
Te Suedia së fundi është ftuar vëllai i Arbërit, Besforti. Në ndeshjen që Kosova e fitoi 2:0 më 8 shtator, Besforti nuk ishte pjesë e Suedisë. Por ai mund të përfshihet në ekip në grumbullimin e ardhshëm.
“Për Besin lutemi çdo ditë që të ketë ftesë dhe të jemi në fushë kundër njëri-tjetrit”, ka thënë Arbër Zeneli.