Golden Eagle Ylli ka pasur vështirësi për të shënuar fitoren e 12 rresht në Superligën e Kosovës në basketboll. Skuadra nga Suhareka ka triumfuar të mërkurën në shtëpi kundër Ponte Prizrenit. Kjo ishte ndeshje e mbetur e xhiros së 11, ndërsa përfundoi me shifrat 80:76 në të mirë të ekipit vendas.
Edhe pse rezultati ishte i ngushtë dhe i barabartë deri në fund të takimit, Ylli arriti ta fitojë në fund ndeshjen me pikët e shënuara nga Valon Bunjaku në tentimet nga gjuajtja e lirë. . Me këtë fitore, Ylli ngrihet në kuotën e 28 pikëve dhe ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Më i dalluari në fitoren ndaj Pontes, ekip që regjistroi humbjen e gjashtë rresht, ishte qendra Chris Harris.
Ai e mbylli ndeshjen me “double-double” prej 21 pikëve e 14 kërcimeve, ndërsa paraqitje të mirë patën edhe Gëzim Morina (16), Bashir Ahmed (14) e Rashin Davis (14). Te Ponte që mbetet në pozitën e parafundit me 23 pikë, më të dalluarit ishin Dachon Burke e Adam Grant. Burke shënoi 23 pikë, ndërsa Grant shtoi 22 sosh por që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen e radhës.