Sport

Ylli mposht bindshëm Prishtinën

Golden Eagle Ylli e ka fituar me rezultat bindës ndeshjen e mbetur të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në basketboll.

Në duelin e luajtur të enjten në Prishtinë, ekipi nga Suhareka triumfoi me rezultatin 87:70. Për Yllin, kjo ishte fitorja e katërt në pesë ndeshje të zhvilluara këtë edicion, që e ngrit në pozitën e parë në tabelë me nëntë pikë të mbledhura.

Ndërkohë, Prishtina regjistroi humbjen e tretë në katër duelet që i ka zhvilluar këtë edicion dhe zë vendin e fundit në tabelë me pesë pikë. Valon Bunjaku me 21 pikë të shënuara ishte më i dalluari te Ylli derisa me pikë dyshifrore në këtë triumf, kontribuuan edhe Cody John (20) e Samir Zekiqi (18). Te Prishtina, më efikasi ishte Fisnik Rugova me “double-double” prej 23 pikëve e 12 kërcimeve duke lënë pas vetes Arian Qallakun (16) e Edmond Azemin (12).