Golden Eagle Ylli është treguar bindës edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll ndaj Sigal Prishtinës.
Kampioni në fuqi, të mërkurën mbrëma triumfoi kundër Prishtinës me rezultatin 79:70, në duelin e luajtur në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.
Me këtë triumf, Ylli është në epërsi me rezultatin e përgjithshëm 2:0 dhe i duhet vetëm edhe një fitore në këtë seri gjysmëfinale, që nisi vikendin e shkuar, për t’u kualifikuar në finalen e plejofit të këtij sezoni.
Pas dy ndeshjeve të luajtura në Suharekë, seria bartet në Prishtinë, ku dueli i radhës do të luhet këtë vikend.
Skuadra e Yllit ka dominuar edhe takimin e dytë, ndonëse e filloi shkëputjen në fund të çerekut të parë, që e mbylli me shtatë pikë epërsi (27:21), përpara se në të dytin ta limitonte Prishtinën në gjashtë pikë të vetme dhe të shkonte në pushim me shifrat 41:27.
Ylli epërsinë e krijuar arriti ta mbajë edhe në dy çerekët e fundit, të cilët i fitoi Prishtina, por që nuk arriti ta evitojë humbjen e dytë në gjysmëfinale.
Henrik Shirko më 31 pikë të shënuara, prej të cilave realizoi pesë tresha, ishte më i dalluari te Ylli.
Pikë dyshifrore tek ekipi vendas, realizoi edhe amerikani Dajaun Graf, i cili ndeshjen e mbylli me 16 pikë.
Te Prishtina që u kualifikua në serinë gjysmëfinale pasi eliminoi Prizrenin-16 pas tri ndeshjeve në çerekfinale, më efikasit ishin Henry Dugat (25 pikë, 10 kërcime) e Jan Palokaj (17 pikë).