Sport

Ylli fiton superndeshjen në “Minatori”

Fundorit amerikan Jay Threatt Jr nuk i janë dridhur duart në momentet vendimtare. Ai ka shënuar tri gjuajtje të lira, shtatë sekonda para fundit. Dhe ato gjuajtje vendosën ndeshjen mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Ndeshja e luajtur në “Minatori” në Mitrovicë përfundoi me fitoren e Yllit të Suharekës me rezultatin 72:70.

Kur mbetën shtatë sekonda deri në fund, Threatt u faulua gjatë një tentimi për tri pikë. Dhe realizoi tri gjuajtjet e lira për 72:70. Fare në fund Clevon Brown i Trepçës tentoi për tri pikë, por nuk qëlloi. Para amerikanit të Yllit, dy gjuajtje të lira i kishte Amin Hot i Trepçës. Te rezultati 70:69 në të mirë të Trepçës, Hot nuk realizoi asnjërën gjuajtje. Andrew Gordon humbi po ashtu një gjuajtje të lirë në minutën e fundit dhe gjitha këto i mundësuan Yllit të shënoi fitore.

Palestra ishte e mbushur me shikues, ndërsa përkrahja për Trepçën ishte e madhe. Por në fund Ylli ishte ai që festoi. Ndeshja i ka takuar xhiros së gjashtë të Superligës në basketboll.

Ndeshja ishte e fortë dhe e barabartë nga fillimi e deri në fund. Dhe fundi ishte shumë dramatik po ashtu.

Për kampionin aktual, Yllin, është vetëm fitorja e dytë këtë edicion. Trepça ka pësuar humbjen e dytë.

Threatt Jr ishte më i miri tek Ylli me 19 pikë e tri kërcime. 16 pikë i kishte Malcolm Armstead. Henrik Shirko kontribuoi me 14 pikë e gjashtë kërcime.

“Ndeshjet me Trepçën më shumë janë mentale. Vitin e kaluar kemi sfiduar njëra-tjetrën dhe kjo po vazhdon ende. Nuk kemi luajtur mirë. Kemi pasur shumë gabime. Por mentalisht ishim më të fortë dhe kjo solli fitoren”, ka thënë trajneri i Yllit, Adis Beqiragiq.

Te Trepça u dallua qendra Andrew Gordon me 19 pikë e 13 kërcime. Drilon Hajrizi i kishte 13 pikë, nëntë kërcime e gjashtë asistime. Ndërkohë Erjon Kastrati realizoi 12 pikë e shtatë asistime.

“E uroj kundërshtarin. Kemi bërë gabime dhe kemi humbur shumë gjuajtje të lira. Për mua kjo është arsyeja kryesore. Kemi luajtur keq në mbrojtje, e kemi lejuar rivalin të shënoi shumë pikë të lehta. Kemi pasur gjuajtjen në fund, por nuk e realizuam. Ishte ndeshje e fortë, e vështirë”, ka thënë trajneri i Trepçës, Lubomir Minchev.