Golden Eagle Ylli është ekipi i fundit që ka avancuar në gjysmëfinale të turneut të Superkupës së Kosovës në basketboll pas Sigal Prishtinës, Trepçës dhe Pejës. Të enjten mbrëma, Ylli e eliminoi në çerekfinale skuadrën e Vëllaznimit. Dueli i luajtur në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, përfundoi me shifrat 82:69 në favor të Yllit. Vëllaznimi u mbajt mirë në dy çerekët e parë, duke mos lejuar Yllin që të shkëputet në rezultat. Megjithatë, nuk pati fuqi që ta ndalë ekipin nga Suhareka edhe në dy periudhat e fundit.
Në çerekun e tretë, Ylli u fut me vetëm gjashtë pikë epërsi (42:36), të cilën e shtoi në 11 pikë dhe në dhjetë minutat e fundit, i startoi me shifrat 66:55. Në çerekun e fundit, Ylli jo vetëm që e ruajti, por edhe e shtoi epërsinë për ta mbyllur ndeshjen me 13 pikë avantazh.
Henrik Shirko me 14 pikë, 6 kërcime e 4 asistime ishte më i dalluari te Ylli, ndërsa Gëzim Morina shtoi 14 pikë e 5 kërcime në këtë triumf. Në anën tjetër, te Vëllaznimi më të dalluarit ishin amerikanët Jalen Ray e Samuel Sessoms. Ray ndeshjen e përfundoi me 22 pikë, ndërsa Sessoms pati 15 pikë e 5 kërcime.
Në gjysmëfinale, Ylli do të përballet me Pejën, ndeshje kjo që nis në orën 20:00, Ndërkohë, prej orës 17:00, do të përballen Sigal Prishtina me Trepçën.