Sport

Ylli eliminon Vëllaznimin, siguron gjysmëfinalen e Kupës

Përkrahja nga tribunat nuk i ka kryer shumë punë Vëllaznimit të Gjakovës. Nikoqiri i turneut të Kupës së Kosovës në basketboll, Vëllaznimi, është ndalur në ndeshjen e parë. Të martën mbrëma në palestrën “Shani Nushi”, Vëllaznimi pësoi nga Golden Eagle Ylli në çerekfinale të Kupës së Kosovës. Skuadra suharekase fitoi me rezultatin bindës, 76:58.

Ylli shpërtheu në çerekun e parë, të cilin e fitoi me rezultatin 31:12. Çerekët tjerë ishin të barabartë, por kështu suharekasit e mbajtën epërsinë deri në fund. Vëllaznimi tentoi rikthimin në çerekun e katërt. Ia doli megjithatë të afrohet vetëm në 11 pikë, por jo edhe më shumë. Kështu Ylli e kontrolloi fundin e ndeshjes për fitore të thellë dhe për vend në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale, të enjten, Golden Eagle Ylli takohet me Trepçën.

Alonzo Verge udhëhoqi sërish ekipin suharekas. Fundori i shpejtë ndeshjen e përfundoi me 18 pikë, gjashtë asistime e katër kërcime. I kishte edhe pesë topa të rrëmbyer e katër të humbur. Valon Bunjaku u kthye fuqishëm duke e përfunduar ndeshjen me 12 pikë e katër kërcime. Kapiteni Gëzim Morina i kishte 11 pikë e katër kërcime.

Te Vëllaznimi më i dalluari ishte Jordan Dallas me 14 pikë e 11 kërcime. 15 pikë i realizoi Jalen Ray, ndërsa Burim Zekiqi i kishte dhjetë pikë. Por të dy kishin edhe shumë gjuajtje të humbura.

Palestra në Gjakovë ishte e mbushur me shikues, ndërsa përkrahja për Vëllaznimin e madhe. Megjithatë ishte Ylli që shkëlqeu në parket dhe kështu e vazhdon garën për Kupë.

Dy çerekfinalet tjera janë të mërkurën.

Prej orës 17:00 takohen Peja e Bashkimi, ndërsa Sigal Prishtina e Proton Cable Prizreni përballen nga ora 20:00. Dy gjysmëfinalet janë të enjten, ndërsa finalja është të shtunën nga ora 17:00.