Basketboll

Ylli e fiton ndeshjen e vështirë me Vëllaznimin

Scott Bamforth

Golden Eagle Ylli e ka fituar ndeshjen e vështirë me Vëllaznimin, që u vendos vetëm në sekondat e fundit të ndeshjes. 

Ylli në palestrën “13 Qershori” në Suharekë fitoi me pesë pikë dallim ndaj skuadrës gjakovare, 90:85.  

Mysafirët e fituan pjesën e parë me gjashtë pikë dallim, 46:40. Çerekun e parë e fituan 22:21, kurse të dytin 24:19. 

Por, rikthimi i madh i Yllit u bë në fillim të pjesës së dytë. 

Suharekasit e fituan periudhën e tretë 30:15, ndërsa e humbën të fundit 25:20. Përpjekjet e “kuqezinjve” deri në fund nuk munguan, por nuk ishin të mjaftueshme për ta shmangur humbjen e 12-të të sezonit. Vëllaznimi i ka edhe pesë fitore. 

Me Rahovecin 029, i zënë dy pozitat e fundit në tabelë. 

Ndërkohë, Golden Eagle Ylli barazohet me pikë me Sigal Prishtinën, nga 25 gjithsej, pas tetë fitoreve e nëntë disfatave. 

Scott Bamforth ishte më i miri në fitore tek Ylli. Ai e mbylli ndeshjen me 25 pikë, katër asistime e tri kërcime. Lojë të mirë te Vëllaznimi pati sërish Jericole Hellems me 22 pikë, shtatë kërcime e dy asistime. 

Golden Eagle Ylli dhe Vëllaznimi janë eliminuar nga Kupa e Kosovës në basketboll.